Instagrami nisi fshehjen e pëlqimeve në platformën e tij në Australi, Brazil dhe disa tregje të tjera të mëdha, pasi bëri të ditur që më herët se donte të zbuste presionin mbi përdoruesit, i diktuar nga kritikat për pasojat në shëndetin mendor.
Ky ndryshim bën që përdoruesit në gjashtë vende të mos mund të shohin më numrin e pëlqimeve në postimet e njerëzve të tjerë.
“Ne duam që instagrami të jetë një vend ku njerëzit të ndjehen mirë, të jenë të lirë të shprehion vetveten”, thanë zyrtarët e facebook që ka në pronësi instagramin.
“Ne shpresojmë që ky test do të zbusë presionin se sa pëlqime do të marrë një postim, ndaj ju thjeshtë mund të fokusoheni tek ndarja në rrjet e gjërave që doni”.
Australia, Italia, Irlanda, Japonia, Brazili dhe Zelanda e Re, janë përfshirë në këtë testim të ri, që pason një tjetër provë të zhvilluar në Kanada, në maj.
Edhe pse instagrami e cilëson fshehjen e pëlqimeve për përdoruesit si një test, nuk është dhënë një afat se kur ai do të përfundojë.
Instagrami ka më shumë se një miliardë përdorues në të gjithë botën dhe është një platformë që lejon përdoruesit të postojnë imazhe dhe video të cilat të tjerët mund ti pëlqejnë apo komentojnë.