Roli i Rumanisë ka qenë gjithnjë mbështetës në afrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin e Europian. Pikërisht kjo çështje do të jetë tema e ditës në axhendën e takimit të ministrave të Jashtëm të BE më 31 janar në Bukuresht.
Ministri i Jashtëm rumun, Teodor Melescanu, thotë se ky është një prioritet që është marrë nga presidenca e mëparshme të BE-së, sidomos nga Bullgaria dhe Austria.
“Po planifikojmë së afërmi të flasim për këtë, përfshirë edhe takimin më 31 janar në Bukuresht, “fillimisht mes nesh, vendeve anëtare dhe pastaj më vonë do të ftojmë në dialog të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor”, – tha ai për DW dhe Radion Digi FM.
Ministri rumun shtoi se Rumania ka qenë gjithnjë mbështetës i Ballkanit në BE. “Pozicioni ynë kombëtar është mbështetja e përshpejtimit të negociatave me Serbinë dhe Malin e Zi në drejtim të anëtarësimit në BE, hapja e kapitujve të rinj për negociim. Ne dëshirojmë, – dhe ky do të jetë propozimi im – që ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë (ose që nga ky moment Maqedonia Veriore) dhe Shqipëria të marrin një ftesë të qartë për hapjen e negociatave me Bashkimin Europian”, – shpjegoi Melescanu.
Ministri i Jashtëm rumun, thekson se “na mbeten dy vende në Ballkan, Bosnjë-Hercegovina dhe Kosova, që janë në një fazë fillestare, me ta ne do të jemi gati të flasim dhe të shohim si mund të mbështeten përpjekjet e tyre europiane, nëse kjo është ajo që ato dëshirojnë në nivel qeverish dhe shtetesh në fjalë”.