Sport Inter fiton në Bolonja, Gabigol zhbllokohet si Ronaldo

Inter fiton në Bolonja, Gabigol zhbllokohet si Ronaldo

Prova e sotme ndaj Bolonja-s rezultoi tepër e vështirë për Inter-in, por jo e pamundur për të fituar.

Skuadra zikaltër arriti të triumfojë 0-1 në stadiumin “Renato Dall’Ara”, duke treguar se ka ende shumë për t’i dhënë kampionatit italian në një sezon që mund të jetë i duhuri pas disa vitesh plot probleme.

Pjesa e parë pati disa shkëndija për gol. Palacio humbi një rast të shkëlqyer në të 12′, që mund të kishte zhbllokuar takimin, ndërsa për vendësit provoi rrezikshëm Dzemaili në të 39′.

Ndeshjen e zgjidhi sulmuesi Gabigol në pjesën e dytë.

Në të 81′, mbrojtësi anësor D’Ambrosio pasoi lehtë nga krahu i djathtë dhe gjeti pranë shtyllës së dytë sulmuesin brazilian, i cili e pati shumë të lehtë të shënonte. 1-0 dhe Inter u çlirua plotësisht!

Bolonja nuk mund të rrinte duarkryq dhe provoi të barazonte, por ekipi zikaltër u tregua mjaft i qëndrueshëm në mesfushë dhe ia doli të ruajë avantazhin.

Në fund, djemtë e trajnerit Stefano Pioli buzëqeshën sërish dhe tashmë e shohin veten në kuotën e 48 pikëve dhe janë në vendin e pestë në Serie A.

Për tu shënuar është fakti se edhe fenomeni Ronaldo kur luante me Interin golin e parë e shënoi pikërisht ndaj Bolonjës më 14 shtator 1997.