Sport Inter-Juventus, Lippi analizon punën e Contes dhe Sarrit

Inter-Juventus, Lippi analizon punën e Contes dhe Sarrit

Marcello Lippi ka folur për “Tuttosport”, ku ka analizuar edhe punën e trajnerëve Sarri e Conte, ndër të tjera. Pak më shumë se 48 orë nga derbi i “San Siro”, Inter-Juventus, fjala e ish-trajnerit të kombëtares së Italisë, kampion bote në vitin 2006, ka shumë peshë.

Sarri

E nis nga vlerësimi për Sarri: “Maurizio po e dëshmon veten, është inteligjent. Po sjell filozofinë e tij te Juventusi, pa e shtrembëruar, sidoqoftë, atë që ishte bërë mirë tashmë. Unë shoh më shumë qarkullim topi se më parë, një përfshirje më të madhe të mesfushorëve. Ka një grup tejet cilësor në dispozicion. Po ashtu, ka një nga repartet sulmuese më të mira në botë, me në krye CR7. Higuain? Duket se e ka fshirë sezonin e kaluar, është rikthyer në nivelet e tij të larta. Duket qartë se mes tij dhe Sarrit ekziston një ndjenjë e rëndësishme. Buffon? Pavarësisht rolit të tij në fushë, në një dhomë zhveshjesh, Gigi është gjithmonë thelbësor. Dhe kini kujdes, mos e nënvlerësoni Barzagli-n. Ardhja e tij në stafin teknik të Sarrit do të jetë një faktor, nga i cili do të përfitojë gjithë grupi”.

Conte

Nga Sarri te Conte, te filozofia e lojës që po aplikon ish-nxënësi i tij te zikaltrit. Lippi analizon: “Ai ka cilësi të shkëlqyeshme; di si të hyjë menjëherë në mendjet e atyre që punojnë me të. Edhe një aspekt themelor, Conte arrin të ndërtojë një identitet rreth grupit. Interi me më shumë italianë në fushë? Patjetër, duhet duartrokitur. Derbi me Juventusin? Nuk besoj se humbja ndaj Barcelonës do të ndikojë psikologjikisht te zikaltrit. Gjithashtu, sepse, për më shumë se një orë, Interi e luajti mrekullisht ndeshjen në “Camp Nou”. Më pëlqejnë Sensi dhe Barella. Të dielën parashikoj një sfidë tejet të ekuilibruar. Në këto raste nuk ka ndonjë veprim taktik, për t’u aplikuar, duke studiuar kundërshtarin. Të dyja ekipet do të synojnë vetëm të bëjnë maksimumin”.