Aktualitet Intervista e përbashkët/ Çfarë i rrëfyen gazetarit francez, Ismail Qemali dhe Esat...

Intervista e përbashkët/ Çfarë i rrëfyen gazetarit francez, Ismail Qemali dhe Esat Pasha më 30 maj 1914

Nga Aurenc Bebja*, Francë

“Le Figaro” ka botuar, të martën e 2 qershorit 1914, në faqen n°2, intervistën ekskluzive të gazetarit të saj, Raymond Recouly, me dy liderët shqiptarë, të zhvilluar asokohe në kryeqytetin italian, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar:

Dy liderët shqiptarë

Intervista me Esat Pashën dhe Ismail Qemal beun

(Nga i dërguari ynë special)

Romë, 30 maj.

Për ata që duan të kenë një vështrim më të afërt mbi luftën e ndikimeve të së cilës Shqipëria aktualisht është teatër dhe të kuptojnë në vend disa nga forcat që ushtrojnë aksionin e tyre atje, para së gjithash rekomandohet një udhëtim në Romë. Sapo mbërrita këtu, takova, në të njëjtën ditë, dy burra, dy shefa shqiptarë, të llojit shef klani, të cilët, me sa duket, luanin dhe do të luajnë një rol të konsiderueshëm në politikën e vendit të tyre, pra, e kam fjalën për Esat Pashën dhe Ismail Qemal beun.

Esati, i dëbuar nga Durrësi në rrethanat që i njohim, nuk pati asnjë moment hezitimi. Ai kërkoi dhe u strehua në Itali. Pas ndalesës në Napoli, ja ku gjendet këtu në Romë. Ismail Qemali, i cili ka disa muaj që po pushon në Evropë, tha se pushimet kishin mbaruar dhe se kishte ardhur koha të kthehej në Shqipëri. Ai gjithashtu kaloi nga Roma. Fati bashkoi kështu, në Qytetin e Përjetshëm, këta dy burra që xhelozojnë, vëzhgojnë dhe urrejnë njëri-tjetrin. Ata jetojnë në hotele fqinje, në rrugë fqinje. Ata kryqëzohen në daljet e tyre. Që të dy kanë bisedime të gjata dhe të shpeshta me ministrat dhe diplomatët.

Esati është mirëpritur këtu me konsideratë dhe madje me nder. Ai është një njeri i fuqishëm në shtetin shqiptar, ekzistenca e çmuar e të cilit duhet të ruhet me kujdes nga çdo aksident. Sepse ka shumë shqiptarë në Itali dhe asnjëherë nuk e dimë se çfarë fantazie gjakmarrëse mund të prekë njërin prej këtyre malësorëve për të cilët revolveri ose thika janë shoqëruesit e tij të natyrshëm. Kështu që policia italiane po vëzhgon ditët e tyre me një zell të jashtëzakonshëm dhe një luks të masave paraprake për të cilat nuk ia kemi idenë. Mbrëmjen e mbërritjes së tij, ai bëri një paradë midis një gardhi të dyfishtë xhandarësh dhe truprojash. Një togë agjentësh sekretë qëndron te dera dhe në hollin e hotelit të tij – në Itali si gjetkë asgjë nuk është më e lehtë të hamendësohet, në shikim të parë, sesa një agjent i policisë sekrete. Në korridorin e banesës së tij, dy hapa nga dera e tij, dy burra vëzhgojnë natë e ditë. Për më të fuqishmit, për monarkët me të kërcënuar, nuk do të bëhej më shumë…

Unë dhashë kartën time për Esatin dhe menjëherë ai u përgjigj se do të ishte shumë i lumtur që të më priste. Por ai flet vetëm turqisht dhe shqip dhe përkthyesi i shkëlqyer që i kishin premtuar nuk kishte mbërritur akoma. Me këtë fjalë përkthyesi, e pranoj, se më kap njëfarë shqetësimi. Në fakt, kam pasur mundësinë shumë herë gjatë udhëtimeve të mia në Indi dhe Kinë të bisedoi me razhat dhe mandarinët, falë shërbimeve të mira të një ndërmjetësi profesional. Asgjë nuk është më zhgënjyese sesa intervista të tilla. Përkthyesi, natyrshëm i etur për të shkurtuar fjalët që ai e konsideron të rrezikshme, i kërkon razhës gjëra pa vend, sipas fantazisë së tij dhe i përgjigjet po me të njëjtën mënyrë.

Por këtë herë frika ime ishte e pabazuar. Italia, marrëdhëniet e së cilës me Lindjen janë shekullore, nuk i mungojnë njerëzit për të cilët turqishtja është gjuhë familjare.

***

Esati është pesëdhjetë vjeç; ai ka pamjen e jashtëzakonshme të një vigani, i fortë dhe energjik. Një trup vigjilent dhe i proporcionuar mirë, një maskë vullnetare, sytë me disa damarë gjaku, sy në lëvizje, dremitës, mosbesues, sikur vrojtojnë disa armiq të gatshëm për ta goditur. “Ai nuk i mbyll sytë, madje edhe kur fle, edhe kur ai gërhet.” – tha një nga shokët e tij që e shoqëronte gjatë udhëtimit nga Napoli për në Romë.

Me kokë të një “condottiere”, me pak fjalë; atë të një njeriu tek i cili impulset nxiten papritur dhe në mënyrë të papërmbajtshme. Fotografitë e tij që kisha parë nuk përcjellin këtë fytyrë brutale dhe të tensionuar. Ato tregojnë vetëm një nga karakteristikat, mashtrimin dhe dinakërinë.

Kur fillova ta pyes Esatin, dhe i bëra një pyetje të shkurtër mbi marrëdhëniet e tij me princin e Shqipërisë, mbi shkaqet e arrestimit të tij, nuk pata menduar në asnjë moment se ai do të zbraste fundin e trastës (thesit) së tij. Esati ndodhet në Itali pothuajse në pozitën e një udhëheqësi zyrtar. Ai pati një bisedë shumë të gjatë këtë mëngjes me markezin e San Giuliano-s në La Consulta. Ai konsideron se roli i tij nuk ka përfunduar dhe e gjithë kjo i imponon natyrisht një rezervë të madhe. Por përgjigjet e tij sidoqoftë tregojnë psikologjinë e tij të mundimshme dhe të ndërlikuar të aventurierit, gati për çdo gjë.

— E prisnit, i thashë, këtë që ndodhi? A kishte shenja që mund të ju bënin të parashikonit bombardimin e shtëpisë dhe dëbimin tuaj?

— Asgjë, absolutisht asgjë, u përgjigj ai, nuk mund të më bënte ta parashikoja këtë. Gjithçka ndodhi si një rrufe. U befasova papritur dhe, edhe tani, nuk e kuptoj pse reaguan kështu ndaj meje.

— Thuhet se një ditë para arrestimit tuaj, ju keni pasur një bisedë me princin, se ai është zemëruar me ju dhe ka kërkuar dorëheqjen tuaj.

— Është gënjeshtër, absolutisht gënjeshtër, përgjigjet Esati. E kam takuar me të vërtetë princin, një ditë më parë, si ditët e mëparshme. Por asnjëherë nuk ka ndodhur qoftë dhe një incident i vogël midis nesh. Po flija në shtëpi dhe u zgjova papritmas nga të shtënat e topave që goditnin shtëpinë time. Ju e dini pjesën tjetër.

— Por në fund të fundit, i thashë, çdo ngjarje, veçanërisht e kësaj rëndësie, duhet të ketë një shkak. Princi nuk mori një masë kaq të dhunshme, aq e madh me pasoja, pa patur një arsye të fuqishme?

— Këto arsye, përgjigjet shumë qartë Esati, nëse ekzistojnë, unë nuk mund t’i marr me mend ato. Për më tepër, ajo që u bë, u bë. Më mirë të presim se çdo të ndodhë në vijim.

— Flitet, i thashë atëherë, se përfaqësuesi i një vendi të madh fqinj, duke ju parë shumë të nënshtruar ndaj politikës italiane, mund të mos jetë absolutisht i huaj në dëbimin tuaj.

— E di që kanë thënë këtë, përgjigjet Esati. Më kritikuan se isha një agjent italian. Pse? Sepse u strehova këtu. Por duhej të strehohesha diku. Unë gjithmonë kam hasur shumë simpati në Itali. Është e vërtetë që, para se të shkoja për të marrë Princ Vidin në Neuëied, kalova nëpër Romë. U përshëndeta me shumë respekt dhe pata nderin të më prezantonin me mbretin e Italisë. Ku kam gabuar këtu? E gjithë kjo nuk më ka penguar të jem shqiptar, i preokupuar mbi të gjitha në mbrojtjen e interesave të vendit tim. Diplomatin, për të cilin flisni, unë kam darkuar me të dy ditë para ngjarjes. Ne kemi pasur gjithmonë raportet më të mira.

— Po tani, cilat janë planet tuaja? A planifikoni të ktheheni në Shqipëri nëse shfaqet ndonjë mundësi?

Esati jep një përgjigje orientale për këtë pyetje, ose, nëse preferoni, një përgjigje prej normandi (banor i Normandisë, Francë). Ndërsa përkthyesi ma përkthen – ai më vëzhgon me vëmendje, me një vështrim gjysëm serioz, gjysëm ironik, me pamjen e një njeriu që përmbahet disi për të mos qeshur.

“— Gazetat kanë botuar që unë kisha marrë, në momentin e largimit tim, angazhimin zyrtar për të mos u kthyer në Shqipëri. Meqë gazetat e kanë thënë, kjo duhet të jetë e vërtetë. Të mos flasim dhe të shohim se çfarë ndodh. Unë ndihem shumë mirë këtu.”

Po, me të vërtetë, është apartamenti më i rehatshëm, në hotelin më të mirë në Romë, që e vunë në dispozicion të tij. Gjithsesi, ky njeri plot energji dhe gjallëri, nuk duket aspak i dorëzuar nga goditja që mori, përkundrazi duket i gëzuar dhe mjaft i argëtuar me ngjarjet që ndodhën pas largimit të tij; se ky njeri, i cili ka pas tij ndihmën dhe mbështetjen morale të një numri shumë të madh italianësh, të ketë hequr dorë nga çështja shqiptare, kjo gjë është e pamundur të besohet, qoftë dhe për një moment, mjafton një aspekt apo një shikim i vetëm i Esatit për ta përgënjeshtruar absolutisht këtë.

— Dhe çfarë mendoni për situatën? – i them. Myslimanët duken të irrituar, janë revoltuar. Flitet për një ndërhyrje të katolikëve të Veriut.

— Gjithçka ishte e qetë, një ditë para arrestimit tim, përgjigjet Esati. Pse gjithçka shkoi keq menjëherë? Mister. A janë vërtet katolikët duke luftuar kundër myslimanëve? Kjo nuk ndodhi kur unë isha atje.

Esati lë të kuptohet, siç e shohim, se gjithçka që ndodhi ishte shkaktuar nga burgosja i tij e padrejtë. Nëse do ta kishin lënë të qetë, nuk do të kishte ndodhur asnjë rrëmujë.

Unë i flas atëherë për të kaluarën e tij, e pyes për jetën e tij. Ai lindi në Tiranë, jo larg Durrësit, në një familje me origjinë nga Kruja, por e vendosur prej më shumë se njëqind e pesëdhjetë viteve në këtë rajon. Është një krahinë pothuajse ekskluzivisht myslimane, siç tregon, jo pa insistim, Esati. Oficer i kalorësisë në Kostandinopojë, pasi mori pjesë në luftën e parë kundër Greqisë, ai komandoi për disa vite Janinën. Me ardhjen e regjimit të ri turk, ai u bë deputet i Durrësit. Kur shpërtheu lufta e fundit, ai u dërgua në Shkodër si shef i fraksioneve shqiptare.

Esat Pasha më flet për rrethimin, dhe vetëm për këtë: “Ne e dorëzuam atë vend, tha ai, vetëm kur nuk kishte më asgjë tjetër për të ngrënë.”

Ai doli nga Shkodra me ushtrinë e tij të paprekur dhe ajo që vijon e njohim.

Vendosa ta pyes për marrëdhënien e tij me Ismail Qemal beun dhe qeverinë e përkohshme të Vlorës.

— Pata pranuar, tha ai, jo pa hezituar, të marr pjesë në këtë qeveri. Por unë nuk kisha besim tek Ismail Qemali. Ai është vetëm një person intrigues që kërkon të mashtrojë të gjithë. Të jesh dikush tek shqiptarët, nuk mjafton të lindësh në vendin e tyre; ju duhet të zotëroni prona, t’i përkisni një familje të shquar. Ky nuk është aspak rasti i Ismail Qemalit. Ai është nga Vlora, kjo është e vërtetë; por ai nuk ka asgjë atje dhe nuk e llogarisin në asnjë mënyrë. Kur e pashë se kush ishte me të vërtetë dhe e kuptova se çfarë po kërkonte, u ndava me të.

Kështu foli, me një ton shumë përbuzës, Esat Pasha.

***

Ismail Qemali, tek i cili isha një orë më vonë, më mbajti të njëjtin fjalim ndaj Esatit.

— Të gjithë ata që janë marrë me të, më tha ai, janë mashtruar prej tij dhe ndonjëherë edhe më keq se kaq. Ai është një njeri të cilit askush nuk mund t’i besojë; premtimet dhe betimet nuk i kushtojnë shtrenjtë. Kur ngjarjet më detyruan të krijoja qeverinë tonë të përkohshme, unë sinqerisht i ofrova të bashkëpunoja me të. Ai kërkoi, para së gjithash, Ministrinë e Luftës, për arsye që mund të kuptohen lehtësisht. Gjatë një dite të bukur, ai u nis për në Durrës, duke na vënë kushte të papranueshme.

Ismail Qemali është një plak, me pamjen e një turku shumë të vjetër, një mjekër e bardhë që mbulon një fytyrë të lodhur. Ish-zyrtar nën regjimin e Abdyl-Hamidit, i internuar, ai rishfaqet në Shqipëri në kohën e revolucionit. Ai është gjithashtu deputet në Parlament. Kur Shqipëria u shpall autonome nga Konferenca e Londrës, ai u përpoq, në pritje të ardhjes së sovranit, të krijonte një qeveri të përkohshme.

“— Princ Vidi na u dha nga Evropa, më tha ai, dhe ne shqiptarët nuk kemi asgjë më të mirë për të bërë sesa t’i lehtësojmë detyrën atij dhe të grupohemi rreth tij. Unë jam një mysliman i mirë dhe do të preferoja një mysliman si sovran. Por e kuptoj që një princ i krishterë, në të gjitha aspektet, ishte shumë më i mirë.”

Ismail Qemali më tha që nesër do të niset për në Vlorë. Prej katër ose pesë muajve, ai ishte larguar nga Shqipëria. Tani po kthehet atje pa u vonuar. A beson ai se largimi i Esatit i ka lënë rrugën e lirë?

Kjo që sapo ka ndodhur atje është, shkurt, një krizë ministrore që ndodhi dhe zgjidhet sipas procedurave shumë origjinale, shumë të veçanta. Esat Pasha i sapo larguar, një kandidat i ri prezantohet në vend të tij. Shqipërisë nuk do t’i mungojnë burrat e shtetit!

Raymond Recouly

*Burimi: Blogu © Dars (Klos), Mat – Albania