Bota Irani akuzon Izraelin: Shkencëtari u vra nga një mercenar amerikan

Irani akuzon Izraelin: Shkencëtari u vra nga një mercenar amerikan

Presidenti iranian, Hassan Rouhani, akuzoi shtetin e Izraelit për vrasjen e shkencëtarit që drejtonte programin bërthamor. Sipas tij, atentati është kryer nga një mercenar i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Vrasja e Mohsen Fakrizadeh tregoi urrejtjen dhe dëshpërimin e thellë të armiqve të Iranit”, thekson Rouhani duke shtuar se ky zhvillim nuk do të ngadalësojë programin bërthamor të vendit.

“Edhe njëherë, duart e liga të arrogancës globale, me një mercenar të regjimit uzurpatorzionist, janë njollosur me gjakun e një djali të këtij kombi”, shkruan presidenti iranian në uebsajtin e tij zyrtar duke iu referuar vrasjes së shkencëtarit Fakhrizadeh.

Irani zakonisht përdor termin “arrogancë globale” për t’iu drejtuar Shteteve të Bashkuara. Rouhani në deklaratën e tij i shpreh ngushëllime komunitetit shkencor dhe popullit revolucionar të Iranit.

Reagimi i presidentit ndjek thirrjet e ushtrisë dhe liderëve fetarë për hakmarrje të vrasjes. Izraeli nuk ka komentuar vrasjen e Fakhrizadeh, megjithatë e ka akuzuar atë vazhdimisht se qëndron prapa krijimit të armëve bërthamore.

Por Teherani e mohon këtë duke pretenduar se programi nuklear ka vetëm qëllime paqësore. Ndërkohë, sipas New York Times, një funksionar i lartë dhe dy drejtues të inteligjencës amerikane janë shprehur se Izraeli qëndron prapa vrasjes së shkencëtarit iranian. Sipas të përditshmes prestigjioze, nuk është e qartë se sa në dijeni ishte administrata e SHBA-ve për operacionin.