Ambasadori Richard Grenell, i dërguar i posaçëm i presidentit Donald Trump për bisedimet Kosovë–Serbi tha të dielën se heqja e tarifave ndaj mallrave serbe që nga nesër, do të ishte një fillim i mbarë për më shumë përparim.
Ai i bëri këto komente në llogarinë e tij në Twitter, duke i bërë jehonë deklaratës së kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, i cili bëri thirrje që të hiqen tarifat që nesër ashtu siç kanë kërkuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Mustafa shkroi në rrjetet sociale tha se aktualisht “tarifa objektivisht mbetet vetëm si relikt, i cili po i shërben Serbisë të paraqitet si viktimë në arenën ndërkombëtare dhe disave në Kosovë si mjet i vetëm i një kauze të paqëndrueshme politike. Askujt nuk i mbushet mendja se Kosova e detyron Serbinë që ta njohë përmes tarifës”.
Mustafa shkroi se megjithatë shumicës dërmuese iu mbushet mendja se Shtetet e Bashkuara në rend të parë dhe Bashkimi Evropian mund ta bindin Serbinë, përmes procesit të bisedimeve, ta njohë shtetin e Kosovës. “Dëshiroj të besoj se mbledhja e nesërme e Kuvendit do t’i japë përkrahje qeverisë dhe kryeministrit Kurti të hiqet tarifa. Të hiqet ashtu siç po kërkojnë SHBA-të.
Nëse dikush luhatet, Lidhja Demokratike, deputetët e saj dhe anëtarët e qeverisë do të mbështesin pa asnjë rezervë dhe me besim e bindje të plotë heqjen e menjëhershme të tarifës, dhe atë jo vetëm se po e kërkon partneri ynë strategjik SHBA, por se jemi të bindur se kjo është në interes të shtetit të Kosovës”, shkroi Mustafa duke nënvizuar se në qoftë se Serbia, nuk e ndal fushatën kundër Kosovës dhe nuk mënjanon pengesat tregtare dhe ekonomike, Lidhja Demokratike mbetet e përkushtuar për zbatimin e masave të reciprocitetit pas një periudhe që qeveria e bashkërendon me Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian.
Ambasadori Grenell duke e quajtur Isa Mustafën udhëheqës të guximshëm tha se “heqja e tarifave nesër do të ishte një fillim i shkëlqyeshëm për shumë më tepër përparim. Zhvillimi ekonomik nuk mund të ecë përpara derisa tarifat të mos hiqen”.
Të enjten, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti propozoi fillimin e heqjes së kushtëzuar të tarifave prej 100 për qind ndaj mallrave serbe, që u vendosën në nëntor të vitit 2018 në shenjë kundërvënieje ndaj qasjes së Serbisë ndaj shtetësisë së Kosovës.
Ai tha se nga 15 marsi do të hiqen tarifat në lëndën e parë si shenjë e vullnetit të mirë dhe nëse Serbia i jep fund fushatës për tërheqjen e njohjeve të Kosovës, më 1 prill do të hiqen tërësisht tarifat për një periudhë 90 ditëshe.
Lidhja Demokratike e Kosovës, pjesë e koalicionit qeverisës, tha se qëndrimi i tillë nuk është bashkërenduar me të dhe se ajo nuk do ta votojë miratimin e tij.
Propozimi i kryeministrit Kurti ndërkaq nuk u mbështet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës të cilat thanë se nuk i mbështesin masat gjysmake dhe se qëndrimi është amerikan është që tarifat duhet të hiqen tërësisht.