Bota Koronavirusi në Itali, 34 të vdekur, 1577 të prekur dhe 83 persona...

Koronavirusi në Itali, 34 të vdekur, 1577 të prekur dhe 83 persona të shëruar

Ka shkuar në 34 numri i personave që kanë ndërruar jetë pasi janë prekur nga koronavirusi në Itali. Lajmi është bërë i ditur nga shefi i Mbrojtjes Civile, Angelo Borrelli, i cili konfirmoi edhe 1,577 persona të prekur deri tani.

Lajmi i mirë është se 83 persona, të cilët kanë qenë të prekur me koronavirus, tashmë janë shëruar.

Ndërkohë, Greqia konfirmoi ditën e diel rastin e shtatë me koronavirus. Dy personat e fundit të prekur janë një burrë dhe një grua, të cilët së fundmi kishin udhëtuar në Itali. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë personi tjetër i prekur nga virusi i ri është një mësuese nga Selaniku.

E ndërsa të shtunën autoritetet franceze vendosën të ndalojnë mbajtjen e takimeve publike, ku marrin pjesë mbi 5000 persona, sot është marrë një tjetër vendim në një nga vendet më të frekuentuara nga turistët francezë. Muzeu i Luvrit në Paris është mbyllur ditën e diel për shkak të një takimi të jashtëzakonshëm të punonjësve të tij.