Ish-Presidenti Bujar Nishani ka sqaruar vendimin e të birit për të lënë nënshtetësinë shqiptare.
Sipas ish-kreut të shtetit, djali i tij jeton prej rreth 10 vitesh në Austri dhe si student i Mjekësisë, i është ofruar statusi i asistent/pedagogut. Nishan shpjegon se shteti i Austrisë i ka ofruar dhe nënshtetësinë, por sipas tij ekziston detyrimi ligjor që nuk mund të mbahen dy shtetësi.
Ish-Presidenti sqaron më tej se ai nuk i ka ushqyer fëmijët me para të vjedhura dhe paratë e drogës dhe se është krenar për fëmijët e tij.
“Të nderuar miq, sot media e propagandës së narkoqeverisë u përpoq të injektojë si lajm negativ, procedurën e lënies së nënshtetësisë nga djali im, – shkruan ai në një status në rrjetet sociale. – Im bir jeton prej afro 10-të vitesh në Austri dhe është aktualisht një prej studentëve të shkëlqyer në Universitetin e Mjekësisë së Vjenës, ku prej disa vitesh ka fituar edhe statusin e asistent/pedagogut. Shteti Austriak i ka dhënë nënshtetësinë austriake por kanë rregullin që nuk lejohet dy shtetësia”.
Nishani e cilëson një turp dhe të papranueshëm faktin se është nëpërkëmbur emri i djalit të tij, sipas të cilit asnjëherë nuk ka përfituar.
“Unë jam shumë krenar për fëmijët e mi pasi vetëm më kanë nderuar dhe kurrë përfituar. Turp dhe e papranueshme është ti ushqesh fëmijët me para të vjedhura apo paratë e krimit të organizuar dhe jo kur nderojnë prindërit dhe këdo tjetër që është në nevojë për ndihmë. Kuptohet se qëllimi i kësaj fushate propagande jam unë.
Regjimi i narkotrafikut dhe avoketërit e tij duket se paskan frikë prej aktivitetit tim qytetar. Kjo më kënaq në fakt”, deklaron ish-kreu i shtetit.