Nga Aurenc Bebja*, Francë
“L’Eclair” ka botuar, të premten e 19 qershorit 1914, në faqen n°4, reagimin Ismail Qemalit në lidhje me ngjarjet e fundit asokohe në Shqipëri, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar:
Deklaratat e Ismail Qemal beut
(Me telefon nëpërmjet korrespondentit tonë) Romë, 18 qershor. – I nisur nga Fiume, në bordin e avullores Bregen, Ismail Qemal beu kaloi sot në Brindizi dhe u largua këtë mbrëmje për në Vlorë.
Ish-presidenti i Qeverisë së Përkohshme të Shqipërisë tha në intervistën e tij se nuk ishte në dijeni për ngjarjet e fundit, por gjithashtu se nuk ndihej i befasuar.
“— Kjo që po ndodh, tha ai, unë e kisha parashikuar dhe denoncuar si në Komisionin e Kontrollit, po ashtu dhe në kabinetet e Romës dhe Vjenës. Atëherë, besuan se unë flisja vetëm për interesa personale dhe nuk më dëgjuan. Princ Vidi nuk është përgjegjës për atë që ndodhi, por viktimë e një mijë kurtheve. Faji është kryesisht i oficerëve holandezë, të cilët, në vend që të kufizoheshin me rolin e tyre, u morën me politikë.”
*Burimi: Blogu © Dars (Klos), Mat – Albania