Kuriozitete Italianët duan që “espresso-ja” e tyre tradicionale të mbrohet nga UNESCO

Italianët duan që “espresso-ja” e tyre tradicionale të mbrohet nga UNESCO

Italianët po kërkojnë që kafeja e tyre tradicionale ekspres të përfshihet në listën e trashëgimisë së mbrojtur nga UNESCO.

Pasi UNESCO njohu rëndësinë kulturore të prodhimit të picave të Napolit në vitin 2017, italianët këtë herë besojnë se kafeja espresso meriton të jetë në listë për shkak të mënyrës së saj të veçantë të përgatitjes dhe gjerbjes.

Konsorciumi për mbrojtjen e kafesë tradicionale italiane Espresso tha që kjo ishte një mënyrë e mirë për të ruajtur “origjinalitetin e kafesë italiane” në planin afatgjatë.

“Ne të gjithë e dimë se sa e rëndësishme është kafeja për italianët në vend, për italianët në botë, si dhe për shumë njerëz në vendet e tjera. Për shumë njerëz, pirja e kafesë është bërë një ritual i përditshëm dhe një rast për takim dhe biseda”, tha Konsorciumi.

Italianët pinë më shumë kafe sot se kurrë më parë. Konsumi vjetor i kafesë për frymë u rrit 5.3 përqind në 2018 në 5.9 kilogram. Sipas të dhënave jozyrtare, rreth 95 përqind e italianëve pinë kafe çdo ditë.

Megjithatë, Finlanda e jo Italia, është vendi aktualisht që mban rekordin evropian për konsumin e përgjithshëm të kafesë.