Kryeministri Edi Rama vizitoi sot Albert Carën në shtëpinë e re në Kamzë, pas kthimit të tij nga Italia ku u kurua pas dëmtimit të rëndë që pësoi nga tërmeti i 26 nëntorit.
”Në shtëpinë e re të Albert Carës, që i mbijetoi vdekjes me një “inat” të paparë dhe u kthye me këmbët e tij në Shqipëri, për të përballuar jetën me të njëjtin “inat” përtej dhimbjes së patregueshme të humbjes së të gjithë familjes”, u shpreh kryeministri Rama për këtë vizitë.
54-vjeçari Albert Cara ka humbur t familjen (bashkëshorten dhe dy djemtë) në tragjedinë e ndodhur nga shembja e pallatit në Thumanë. Ai u transportua me helikopter me 29 nëntor për një trajtim të mëtejshëm mjekësor në Bari të Italisë.
Pas kthimit disa ditë më parë në atdhe, Albert Cara priti sot në banesë kryeministrin Edi Rama dhe ministren e Shëndetësisë e Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu.
Në bashkëbisedim me Albertin, kryeministri kujtoi ditën e tërmetit, kur ai ishte krejtësisht i transformuar dhe nuk njihej nga ky që është sot dhe kur mjekët i dhanë shpresë shumë të vogël.
Vetë Albert Cara kujtoi se ka qenë i ndërgjegjshëm që kur ishte dëshmitar sesi fëmijët i ikën para syve e deri te spitali në Itali. Ai kujtoi momentet e vështira dhe vuri në dukje se mjekët në Itali kanë bërë shkencë me të. “Puna e Zotit në radhë të parë dhe e mjekëve që na u përgjigjën”, tha ai.
“Dhimbjen shpirtërore ma lehtësojnë vëllezërit, miqtë, dashamirës dhe ju në radhë të parë”, iu drejtua ai kryeministrit.
Rama tha se gjithnjë mendonte se çfarë do ndodhë kur ta marrë vesh Alberti për tragjedinë e familjes së tij. Cara tha se e mendonte se kishte parë rrënojat e shtëpisë.
“E ndjeja se kishte ndodhur diçka po nuk më tregonin. Pasi e mora vesh dy mundësi kisha, ose të çmendesha dhe t’i bija murit me kokë e të kapja hunjtë e te dilja rrugëve duke bërtitur, ose të vazhdoja jetën që më ka taksur Zoti”, tha Alberti.
“Kemi qenë familje shumë e lidhur me njëri-tjetrin”, kujtoi Cara.
Në përpjekje për ti dhënë forcë Albert Carës, kryeministri i rrëfeu edhe një fjalë që i kishte thënë babai kur kishin marrë pjesë në një ceremoni mortore në jug.
“Ti paç jetën e gjatë dhe të të rrojnë ata që ke këtu rreth e rrotull, se ata nuk kthehen më të shkretët.
Babai im thoshte kur shkonim në këto ngushëllimet në jug, ata kur kanë këto vakitë fillojnë ato vajet që të shkatërrojnë. Ai thoshte kur të vdes mos më shqetëso ti duke qenë i mërzitur sepse atje ku shkoj unë dua që ti te jesh mirë. Dhe të gjithë ata që janë pas të jenë mirë, sepse i dukej sikur ajo dhimbja madhe e shprehur i ngjante sikur nuk i linte rehat shpirtin në botën tjetër”, tha Rama.
Kryeministri Rama premtoi se do të jetë sërish në mbështetje të Albert Carës që pati një humbje kaq të rëndë.