Ish-deputeti Lefter Maliqi, thotë se jeta e Saimir Tahirit në burgun 313 në Tiranë është në rrezik. Tahiri u dënua me 3 vite e 4 muaj burgim, për shpërdorim detyre, nga Gjykata e Posaçme e Apelit dhe do ta vuajë dënimin në burgun e kryeqytetit.
“Jeta e Tahirit në rrezik. Kush urdhëroi dërgimin e tij tek 313, te burgu me rrezikshmëri të lartë? Kush do t’i mbyllë gojën Tahirit, sepse është i vetmi që di për urdhëruesin e kanabizimit të vendit dhe kreun e mafies Rama. Tahirit i rrezikohet jeta, ose është në kërcënim e presin për të mbyllur gojën”, shkruan Maliqi në një postim në Facebook.
Ish-ministri i Brendshëm është pozicionuar përkohësisht në një nga qelitë e paraburgimit 313 dhe më pas do të merret një vendim nëse ai nuk do të lëvizë nga ky burg apo do shkojë në një burg tjetër siç është 302-shi, apo burgu i Vaqarrit.
Procesi ditën e djeshme ka qenë me tensione dhe gjendje të rënduar emocionale ku pati reagime të ashpra nga avokatët e Tahirit. Ata prisnin që të lihej në fuqi vendimi i Shkallës së Parë, por jo që të hiqej neni 59, i cili ia konvertonte dënimin Tahirit në Shërbim Prove. Tashmë mbrojtja do t’i drejtohet Gjykatës së Lartë për rekurs.
Dënimin e tij, vetë Saimir Tahiri e quajti një padrejtësi të madhe. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Tahiri tha se nuk e ka shkelur asnjë ditë ligjin. “Ju dua shumë të gjithëve! Me vjen keq që shkoi kështu. Jam moralisht i qetë, nuk kam shkelur kurrë ligjin, kam dashuruar çdo ditë të punës sime, jam i lumtur që kam bërë detyrën siç më mirë munda. Është thjeshtë padrejtësi!”, shkruante Tahiri.