Politika “Jo përdorim politik të fatkeqësisë”, distancimi i Bashës nga Berisha e Nishani

“Jo përdorim politik të fatkeqësisë”, distancimi i Bashës nga Berisha e Nishani

Lulzim Basha është shfaqur krejtësisht ndryshe këto ditë tragjedia kombëtare nga tërmeti i së martës, duke ofruar një metamorfozë morale të panjohur deri më tani në qëndrimet me theks politik.

Ai u ka kërkuar të vetëve që të angazhohen në kontribute dhe të mos abuzojnë politikisht.

“Qëllimi nuk është të përdorim politikisht fatkeqësinë e madhe që na ka ndodhur, por t’i vijmë në ndihmë qytetarëve, prandaj duhet të shmanget çdo dalje publike apo reagim personal në facebook/twitter, që mund të merret si përdorim politik i fatkeqësisë. Dëmet apo problematikat, dokumentohen dhe evidentohen (me video, foto, dëshmi), por nuk bëhen publike në mënyrë individuale. Ato raportohen tek Koordinatorët për secilën bashki, dhe këta të fundit më pas, në konsultim me Kryetarin e Partisë dhe/ose Sekretarin e Përgjithshëm, vlerësojnë sesi do të trajtohet çështja”, shkruan Basha në një letër dërguar strukturave, duke u pozicionuar kështu kundër qëndrimeve publike të ish-presidentit Nishani, i cili këto ditë ka shpërthyer me gjuhë të rëndë ndaj kryeministrit Rama, madje duke ia veshur atij humbjen e 49 jetëve, e sigurisht dhe kundër Berishës me statuset e kontraverse.

“Duke filluar nga nesër në mëngjes, të ndarë sipas grupeve më poshtë, duhet të mbajmë dhe të shtojmë praninë në terren, të takojmë qytetarët e prekur nga tërmeti, të evidentojmë çfarë nevojash kanë, dëmet e shkaktuara në banesa, të përpiqemi t’i vijmë në ndihmë me çfarë të mundemi. Grupet do të shoqërohen nga Kryetarët e Degëve dhe anëtarët e Kryesisë së Degës në secilën zonë të prekur”, këshillon Basha.

Kujtojmë se një ditë më parë, kreu i qeverisë Rama postoi një mesazh të Bashës në Twitter, duke vlerësuar apelin për bashkim këto orë të vështira.