Bota Johnson: Britania e Madhe do të godasë Moskën me sanksione nëse sulmon...

Johnson: Britania e Madhe do të godasë Moskën me sanksione nëse sulmon Ukrainën

Kryeministri britanik Boris Johnson paralajmëroi Rusinë se Britania e Madhe do të godasë Moskën me sanksione në momentin e parë kur “maja e këpucës ruse të kaloj territorin ukrainas”.

Gjatë një misioni diplomatik në Kiev, kryeministri britanik Johnson akuzoi presidentin rus Vladimir Putin se në mënyrë efektive “i mbante një armë… në kokë Ukrainës”, ndërsa i tha Kremlinit të tërhiqej nga “katastrofa ushtarake”.

Kryeministri Johnson paralajmëroi për një “rrezik të qartë dhe aktual” të paraqitur nga grumbullimi i rreth 100,000 trupave ruse në kufirin e saj me Ukrainën, të cilin ai e përshkroi si aktin më të madh armiqësor kundër Ukrainës.

Në një konferencë të përbashkët për shtyp me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky në pallatin presidencial Mariinskyi, Johnson tha: “Ne po përgatisim gjithashtu një paketë sanksionesh dhe masash të tjera që do të zbatohen në momentin e parë kur “maja e këpucës ruse të kaloj territorin ukrainas”.

“Ne i kemi përgatitur të gjitha këto jo si një shfaqje armiqësie ndaj Rusisë, por si një demonstrim se ne gjithmonë do të ngrihemi për lirinë, demokracinë dhe sovranitetin e Ukrainës përballë agresionit. Është jetike që Rusia të tërhiqet dhe të zgjedhë rrugën e diplomacisë, dhe unë besoj se kjo është ende e mundur”, tha ai.

“Ne jemi entuziast për t’u angazhuar në dialog, por ne i kemi gati sanksionet, ne po ofrojmë mbështetje ushtarake dhe gjithashtu do të intensifikojmë bashkëpunimin tonë ekonomik”, shtoi Johnson.