Kryesore Basha: Berisha sulmoi barbarisht demokratët që PD-në t’ia dorëzonte Ilir Metës

Basha: Berisha sulmoi barbarisht demokratët që PD-në t’ia dorëzonte Ilir Metës

“Sulmi barbar i Berishës kundër demokratëve u bë për t’i dorëzuar partinë Ilir Metës”. Kështu u shpreh kreu demokrat Lulzim Basha gjatë takimit me demokratët e degës 14. Në fjalën e tij Basha theksoi se zgjodhi opozitarizmin ballor që mos të futej përçarja përmes demokratëve. Ai tha se PD është e demokratëve dhe e shqiptarëve dhe jo për t’ia dorëzuar Ilir Metës.

“Këto ditë, e sotmja, e gjithë beteja, edhe sulmi, denigrimi që u është bërë demokratëve të ndershëm, si shumë prej jush në këtë sallë, drejtuesve, të gjithëve. S’po flas ndaj meje si kryetar i partisë, se vet zgjodha t’i vija gjoksin kësaj, pikërisht që mos të futej përçarja përmes demokratëve apo deputetëve, zonjave, anëtarëve të kryesisë. E gjitha kjo për çfarë paska qenë? Për t’i dorëzuar PD-në LSI-së dhe Ilir Metës?! Gjithë ajo skenë barbare atje e sulmit kundër shtëpisë së demokratëve, për çfarë paska qenë? Që shtëpia e lirisë të kthehet në shtëpinë e Ilirit?! PD është e demokratëve dhe jo për t’ia dorëzuar Ilir Metës, është e Shqipërisë dhe kombit shqiptar”.

Basha cilësoi treshen Rama, Meta dhe Berisha si mbetje të tranzicionit 30-vjeçar të vendit dhe theksoi se nuk do të lejohen të mbajnë peng Shqipërinë.

“Në 30 qershor 2019-të nuk pati një proces normal votimi. Pati votime si në komunizëm, një parti që vet votuan, vet numëruan dhe iu desh 2 muaj për të nxjerr rezultatin, imagjinoni. Dhe prape iu dolën 4-5 me rekorde kriminale, që kanë ikur. Dhe tani për shkak të këtyre, gjetën sebep për procesin e 6 Marsit. Shikoni si kanë dal hapur, hapur fare. Atë që ua kam thënë, sa muaj ka që ua kam thënë? Nuk bëhet fjalë për luftë, për parime, bëhet fjalë për hallin që i lidh bashkë. Halli që i lidh bashkë këta 3, është që janë mbetjet e tranzicionit 30-vjeçar. Halli që i lidh bashkë këta 3, është që shqiptarët e kanë kuptuar instrumentin e politikës së tyre të vjetër, që është premto, mos bëj asgjë, pastaj justifiko, gënje, e premto prapë. Ja, vijnë paketë. Paketë kanë ardhur të 3”. Nuk do të lejojmë të mbajnë peng Shqipërinë ndërkohë që jemi pranë arritjes së një prej ëndrrave të lirisë së fjalës, pronës, besimit në Zot, lirisë së lëvizjes, tregut, dhe mishërimi i tyre në kornizën e BE”.