Politika Jozefina Topalli zbulon bisedën e fundit me Berishën

Jozefina Topalli zbulon bisedën e fundit me Berishën

Jozefina Topalli, drejtuesja e partisë së re “Lëvizja për Ndryshim”, tregoi në studion e “Absolut 4” në A2 marrëdhënien që ka pasur dhe ka me ish-kryeministrin dhe ish-kryetarin e Partisë Demokratike, Sali Berisha.

“I jam mirënjohëse që më ka dhënë mundësinë për të hyrë në politikë, pastaj secili ka identitetin e vet dhe unë kam bërë rrugën time. Secili krijon profilin e tij politik, përmes qëndrimeve të veta. Unë e mbroja Partinë Demokratike, edhe kur nuk isha dakord me disa gjëra, pasi kisha bindjen se ata që do të vinin më pas në qeveri do të ishin më keq dhe me më pak kompetenca. Dhe nuk kam gabuar, fakti tregoi që ato që thashë për Edi Ramën kur erdhi në pushtet, sot i dëgjoni me 8 vite vonesë nga ata që e quajnë veten opozitë”, u shpreh Topalli.

Topalli zbuloi se komunikimin e fundit me Berishën e ka pasur 10 ditë më parë, por jo për politikë: “Zoti Berisha nuk ka ndërhyrë kurrë në vendimet e fundit që kam marrë. I ka respektuar vendimet e mia, edhe kur nuk binim dakord”.

“Kurrë nuk do t’i kisha djegur mandatet”

Topalli u shpreh se kurrë nuk do të kishte djegur mandatet nëse do të kishte qenë në parlament, ashtu siç bëri opozita na mandatin e saj të fundit.

“Mua më pëlqen opozitarizmi. Në shpirt jam rebele. Opozita ka një mision shumë të shenjtë, të japë shpresë për njerëzit, kur ajo është e vërtetë. Opozitarizmi imë është qenia kundër të gjithëve, është më e vështirë se qenia kundër njërit.

Besoj se po të kisha qenë në parlament do të kisha bërë një opozitë shumë të fortë dhe nuk do të isha larguar kurrë nga parlamenti, kurrë nga beteja, kurrë nuk do të kisha djegur mandatet”, tha Topalli.