Opinione “Jugosllavia e re” dhe mendjet e vjetra të opozitës

“Jugosllavia e re” dhe mendjet e vjetra të opozitës

Nga Mero Baze

Takimi informal i kryeministrave të Ballkanit në Durrës, nuk është një ngjarje e prodhuar për të treguar ndonjë superioritet të Shqipërisë, por përpjekje për të treguar këmbëngulje që iniciativa e Berlinit të ristrukturohet në funksion të zgjedhjeve të reja në rajon, sidomos në Serbi dhe Maqedoni. Edi Rama, përveç protokollit të gravatave dhe atleteve, dhe natyrisht menusë së ushqimit, nuk është se ka ndonjë rol protagonisti, por si aktor i vjetër në këtë proces, i takon të bëjë një refresh të aktorëve të vjetër me të rinj.

Me këtë rast, dhe institucionet mbështetëse të kësaj iniciative, siç është Komisioni Europian, Banka Botërore, BERZH etj, kanë rastin të njohin aktorët e rinj.

Kaq është e gjitha çfarë ka për detyrë takimi i Durrësit.

Për ata që kanë ndjekur nga fillimi Iniciativën e Berlinit, fuqinë e Merkelit për ta çuar para relaksimin e raporteve mes vendeve ballkanike, dhe nevoja për rritje të shkëmbimeve ekonomike, është e qartë se bëhet fjalë për një përpjekje europiane, që para se ta integrojnë Ballkanin brenda Europës, ta pastrojnë nga problemet brenda Ballkanit.

Dhe në këtë pike, situata është ende dëshpëruese. Statistika që komisioneri Hahn dha sot, që prej dhjetë vitesh, shkëmbimet tregtare mes vendeve të Ballkanit janë me zero rritje, ndërsa secili prej tyre, i ka dyfishuar shkëmbimet me BE, tregon të vërtetën e hidhur sa i ndarë është ende Ballkani dhe sa jo bashkëpunues.

Për këtë nevojiten politika të reja, mendje më të hapura, legjislacion më ndihmues për shengenizimin e zonës etj.

Shpresa është se ky proces në tërësi, nuk po has kundërshtime në Ballkan politikisht, por administrativisht. Burokracia dhe korrupsioni, janë aktualisht armiqtë më të mëdhenj të këtij procesi. Politikisht ka vetëm dy njolla të zbehta. Vetëm në Serbi dhe Shqipëri ka dy lloj opozitash ndaj procesit. Në Serbi e kundërshtojnë nacionalistët pro rusë të Sheshelit, të cilët e konsiderojnë si proces të çnderimit të Serbisë, pasi po e fusin në kurthin e njohjes së Kosovës, kurse në Shqipëri liderët e një prej partive opozitare, kanë shpikur rrezikun nga “Jugosllavia e re”.

Kjo, përveçse është qesharake si politikë, është dhe tregues i një shkalle të lart impeçiliteti, pasi krijon idenë, se ka një angazhim europian, që nga Merkeli e deri tek komisioneri Hahn, që të kthejnë Jugosllavinë, dhe këtë e kanë si objektiv kundër Shqipërisë!!!

Me këtë stampim të budallallëkut në ballin e liderve opozitarë të Tiranës, përveçse i jepet Edi Ramës më shumë mbështetje perëndimore nga sa meriton, i bëhet dhe opozitës, më shumë dëm se sa meriton, pasi krijojnë për të një perceptim të ri, si një fraksion i mbaruar politikisht, që po kapet pas ashklave të mbetura të nacionalizmave si mbeturinat e partisë së Shehselit në Serbi, apo ndonjë fraksion pro rus në Maqedoni. Nuk është fjala për ndonjë rrezik nga ndonjë Jugosllavi e re, por për rrezikun nga një opozitë e vjetër, që në vend ti bëjë nder Shqipërisë si opozitë, i bën nder Edi Ramës si kundërshtare e padenjë.