Sport Juve me Pirlon, derisa Zidane t’i thotë “po” rikthimit në Torino

Juve me Pirlon, derisa Zidane t’i thotë “po” rikthimit në Torino

Jo vetëm Cristiano Ronaldo. Juventusi dhe Real Madridi janë gati të ndezin sesionin e ardhshëm të merkatos. Sipas të përditshmes spanjolle “AS”, në fakt, bardhezinjtë janë duke menduar për Zinedine Zidane, në rast largimi të Pirlos. Trajneri i Realit të Madridit, pavarësisht se ka kontratë deri në vitin 2022, preferon të mos japë garanci për të ardhmen e tij. Në konferencën e fundit për shtyp, iu përgjigj në këtë mënyrë gazetarëve që i kërkuan të dinin në lidhje me planet e tij për të ardhmen: “Nuk shikoj më tutje se ditë pas dite, nuk kam në program asgjë”.

Skenarët e mundshëm për francezin, në rast lamtumire nga Reali i Madridit, sipas “AS” janë dy.

I pari e çon te trashëgimia e Didier Deschamps në kombëtaren franceze, me presidentin e Federatës franceze, Noel Le Graet, që pranoi publikisht se nëse Deschamps largohet dhe ai është ende në detyrë, do të preferonte të takonte të parin pikërisht Zidane. Por diçka e tillë mund të ndodhë në 2022-shin, kur skadron kontrata e trajnerit aktual me federatën dhe mund të përshpejtohet vetëm nëse kampionët në fuqi të botës do të bënin një figurë të keqe në kampionatin Europian.

Opsioni i dytë për Zidane është pikërisht Juventusi. Andrea Pirlo, pas eliminimit nga Portos në 1/8-at  e Champions League, dhe me Interin të distancuar në krye të kampionatit, ka përfunduar në bankën e të akuzuarve, edhe pse Nedved me fjalët e tij “blindon” qëndrimin e tij dhe atë të Cristiano Ronaldos te Juvja. Gjithsesi, në rast lamtumire, sipas “AS”, objektivi i parë do të ishte Zidane, që me fanellën bardhezi, në Torino, ka përjetuar momente magjike si futbollist.

Por, nga ana tjetër, krerët e Realit të Madridit janë të kënaqur nga puna e zhvilluar deri më tani nga trajneri në eksperiencën e tij të dytë në stolin e “Los Blancos”. Nëse Zidane largohet, Raul dhe Joachim Low, që ka paralajmëruar largimin nga Kombëtarja Gjermane pas Europianit, janë alternativat e Realit të Madridit. Gjithsesi, vendimi i takon Zidane-s dhe Juventus pret me jo pak interes.