Cristiano Ronaldo është bërë çështja e ditës te Juventusi dhe ka marrë edhe skenën e Paulo Dybala, që shënoi një gol shumë të bukur. Portugezi u zëvendësua nga trajneri Sarri për të dytën herë brenda pak ditësh për formën e tij të dobët dhe problemet fizike që ka kaluar këtë periudhë.
Por, sjellja e tij për të mos e përshëndetur dhe për të shkuar në tunel, duke u larguar më pas përpara se ndeshja të përfundonte dhe përpara se shokët e skuadrës të festonin për një sukses të ardhur me mund dhe djersë, nuk i ka pëlqyer drejtuesve Agnelli & Co.
Megjithatë, nuk do të ketë asnjë gjobë për CR7, duke qenë se rroga e tij është 30 milionë euro në sezon dhe për këtë arsye një gjobë do të ishte si një pikë uji në një shkretëtirë për xhepat e tij… Agnelli do të flasë me Ronaldon dhe do t’i tregojë se duhet të sillet ndryshe edhe me shokët e ekipit në të tilla situata.
Sakaq, vetë portugezi ka thyer heshtjen dhe përpara një ore ka bërë postimin e parë, duke shkruar: “Ndeshje e vështirë, fitore e rëndësishme”. Në postimin në Instagram ka komentuar edhe Georgina, gruaja e tij.