Kryesore Kandidatja e Trump për ambasadore në Tiranë, seancë para Senatit amerikan

Kandidatja e Trump për ambasadore në Tiranë, seancë para Senatit amerikan

Yuri Kim, e propozuara nga Presidenti amerikan Donald Trump për postin e ambasadores së Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, do të dalë në një seancë dëgjimore para Senatit amerikan më 29 tetor, para votimit për miratimin e kandidaturës së saj për këtë pozicion.

Yuri Kim, e cila është me origjinë nga Guami, një territor i Shteteve të Bashkuara në perëndim të Oqeanit Paqësor, u propozua në këtë pozicion në qershor nga Presidenti Trump.

Zonja Yuri Kim është një diplomate karriere që ka mbajtur funksione të ndryshme dhe detyra të larta në shërbimin e jashtëm amerikan.

Në Departamentin e Shtetit ajo ka drejtuar zyrën e Evropës Jugore. Më herët ajo ka qenë drejtoreshë për qendrën e studimeve për diplomaci në DASH, si dhe shefe e kabinetit e zv.sekretarit të shtetit.

Ajo ka shërbyer gjithashtu si asistente speciale e ndihmës sekretarit të shtetit për Azinë Lindore dhe Paqësorin. Në këtë rol, ka qenë pjesë e delegacionit amerikan në bisedimet shumëpalëshe mbi programin nuklear të Koresë së Veriut.

Yuri Kim ka shërbyer gjithashtu si konsull politik në ambasadën amerikane në Bagdad, të Afganistanit dhe më pas në atë në Ankara të Turqisë.

Ajo flet gjuhën koreane, kineze, japoneze si dhe turqisht. Prej muajsh, qe nga largimi i ambasadorit Donald Lu, ambasada amerikane në Tiranë është drejtuar nga e ngarkuara me punë, Leyla Moses Ones.