Sport Kaos në Kupën e Afrikës, arbitri mbyll dy herë ndeshjen para fundit...

Kaos në Kupën e Afrikës, arbitri mbyll dy herë ndeshjen para fundit të lojës

Ngjarje të pabesueshme në Kupën e Afrikës, në ndeshjen debutuese të Grupit F, ndërmjet Tunizisë dhe Malit.

Ndeshja u fitua nga “Shqiponjat” me rezultatin 1-0, por rezultati rrezikon të mos njihet nga organizatorët dhe Tunizia do ta ankimojë ndeshjen. Kjo për shkak të gafave të tmerrshme të arbitrit Jani Sikazue.

Gjyqtari nga Zimbabve, i cili ka drejtuar edhe ndeshje të Botërorit 2018 në Rusi, fillimisht vërshëlleu fundin e ndeshjes 5 minuta përpara fundit të lojës. Pas protestave të Tunizisë, loja rifilloi me arbitrin që e mbylli pas 89 minutave e 47 sekondave, pa akorduar shtesë, pavarësisht 9 zëvendësimeve, ndërprerjeve të shpeshta, një kartoni të kuq dhe dy penalltive të akorduara.

Por, tashmë ka edhe një justifikim mbi vendimet e arbitrit nga Zimbabwe, teksa Essam Abdel-Fatah që është edhe përgjegjësi për arbitrat në Kupën e Afrikës theksoi se temperatura dhe lagështira e lartë kishin ndikuar për ta mbyllur para kohe sfidën.

“Arbitri vuajti shumë vapën si pasojë e temperaturave të larta, ishte 34 gradë celcius kur po luhej ndeshja dhe kishte një lagështirë prej 65%. Arbitri pati një dehidratim dhe pas ndeshjes u dërgua në spital. Kur ai pati këtë problem duhej që sfidën ta merrte në zotërim arbitri i katërt, por një nga kombëtaret nuk pranoi“, u shpreh Essam Abdel-Fatah.