Bota Kasapi i Bosnjës do të vuajë dënimin me burgim të përjetshëm në...

Kasapi i Bosnjës do të vuajë dënimin me burgim të përjetshëm në një qeli në Britani

Kasapi i Bosnjës, Radovan Karaxhiç, do të zhvendoset në burgun britanik për të vuajtur pjesën tjetër të dënimit të tij të përjetshëm pavarësisht nga frika e tij se ai do të vritet nga të burgosurit myslimanë.

Mbretëria e Bashkuar ka rënë dakord që lideri serb i kohës së luftës, Radovan Karaxhiç, duhet të transferohet në një burg britanik për të vuajtur pjesën tjetër të dënimit për rolin e tij në gjenocidin e Srebrenicës.

Radovan Karaxhiç u dënua për krime lufte gjatë konfliktit ballkanik të viteve 1990 dhe mori dënim të përjetshëm pasi 8000 burra dhe djem u masakruan në gjenocidin e Srebrenicës.

Britania ishte e përfshirë shumë në dënimin e tij dhe hartimin e procedurës ligjore për transferimin e tij në Mbretërinë e Bashkuar.

 “Karaxhiç është ndër të paktët njerëz që janë shpalliur fajtor për gjenocid”, tha sekretari i punëve të jashtme Dominic Raab.

“Ai është përgjegjës për masakrën e burrave, grave dhe fëmijëve në gjenocidin e Srebrenicës si dhe në rrethimin e Sarajevës me sulmet e pamëshirshme ndaj civilëve”.

“Ne duhet të krenohemi me faktin se, nga mbështetja e Mbretërisë së Bashkuar për të siguruar arrestimin e dërgimi i tij në qeli, Britania ka mbështetur rrugën 30-vjeçare për drejtësi kundër këtyre krimeve makabre”.

Kostoja për një të burgosur në Kategorinë A, është rreth 69 085 paund në vit, tregojnë statistikat e Ministrisë së Drejtësisë për 2019/20 në Mbretërinë e Bashkuar.

Karaxhiç aktualisht po shërben në një njësi paraburgimi të Kombeve të Bashkuara në Holandë. Ai u shpall fajtor për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit për rrethimin 44-mujor serb të kryeqytetit të Bosnjës, Sarajevë dhe për mbikëqyrjen e një fushate të spastrimit etnik që dëboi kroatët dhe myslimanët nga zonat e pretenduara nga serbët e Bosnjës.

Duke u fshehur për më shumë se një dekadë pas luftës, ai u arrestua dhe iu dorëzua Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë në korrik të 2008-s.

Në vitin 2016, Karaxhiç u shpall fajtor për gjenocid për masakrën e Srebrenicës nga gjykatësit e Tribunalit për Krimet e Luftës në Hagë.

Ish-psikiatri fillimisht u burgos për 40 vjet për urdhërimin e vrasjeve në 1995, mizoria më e keqe e Evropës që nga Lufta e Dytë Botërore.

Gjykatësit e apelit në Hagë më parë lanë në fuqi dënimet për gjenocid, krime lufte dhe krime kundër njerëzimit dhe e rritën dënimin e tij nga 40 vjet në burgim të përjetshëm.

Ish-udhëheqësi është një nga figurat më të larta të gjykuara nga gjykata e Hagës për krime lufte.

Çështja e tij konsiderohet si kryesore në dhënien e drejtësisë për viktimat e konfliktit, i cili la më shumë se 100 000 njerëz të vdekur dhe miliona të pastrehë.