Kulturë Kastriot Çaushi vlerësohet me titullin “Mjeshtër i Madh”

Kastriot Çaushi vlerësohet me titullin “Mjeshtër i Madh”

Presidenti i Republikës Ilir Meta vlerësoi sot me Titullin “Mjeshtër i Madh” aktorin e shquar Kastriot Çaushi, i cili ka portretizuar në filmin shqiptar, veç shumë e shumë personazhesh të tjerë historikë, edhe Heroin e Popullit Vasil Laçi, “Për kontributin e shquar në artin skenik dhe në kinematografinë shqiptare, si dhe për edukimin artistik të shumë brezave artistësh të rinj. I dalluar për nivelin e lartë të interpretimit me profesionalizëm në saje të talentit të tij të veçantë e të spikatur, në krijimin e personazheve të arritur artistikisht dhe të paharruar për publikun shqiptar”.

Në ceremoninë solemne të organizuar në Institucionin e Presidentit të Republikës, Meta theksoi se: “Më jepni një krehër’ mbetet një nga momentet më ikonike të kinematografisë shqiptare, por edhe më prekëse për publikun shqiptar. Sikurse edhe shumë interpretime të tjera të tij në filmat ‘Apasionata’, ‘Shirat e Vjeshtës’, ‘Nusja dhe Shtetrrethimi, ‘Liri a Vdekje’, ‘Qortimet e Vjeshtës’ e shumë filma të tjerë, të cilët në Shqipërinë e viteve 80-të frymëzuan brezat e asaj kohe mbi artin e vërtetë dhe shërbyen si shtysë për shumë të rinj e të reja të ndiqnin rrugën e aktrimit apo artit skenik. Profesor Kastriot Çaushi ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në artin, kinematografinë dhe dramaturgjinë shqiptare.

Në repertorin e tij të pasur shquhen edhe interpretimet teatrale në Teatrin Skampa, Teatrin Kombëtar dhe Teatrin e Akademisë së Arteve, me role të rëndësishme, përfshirë edhe ato shekspiriane, si në kryeveprat ‘Romeo dhe Zhulieta’ dhe ‘Rikardi i Tretë’.

Çaushi është i njohur edhe si prezantues artistik, bashkautor librash mbi aktrimin dhe prej shumë dekadash ka kontribuar në kultivimin e aktorëve të rinj si pedagog në Akademinë e Arteve, Dekan në Fakultetin e Artit Skenik dhe Rektor në Universitetin e Arteve, një institucion i arsimit të lartë të cilin ai e ka drejtuar me shumë sukses dhe profesionalizëm”.