“Kryeministrja finlandeze, Sanna Marin nuk ka propozuar futjen e një programi të ri pune në vend me 4 ditë punë në javë dhe 6 orë punë në ditë”. Kështu deklaroi së fundmi qeveria finlandeze duke shpjeguar se kjo është një ide që Marin e ka propozuar gjatë një tryeze në muajin gusht, gjatë kohës kur ishte ministre e Transporteve, pra para se të zgjidhej kryeministre.
Ideja për të shkurtuar në mënyrë drastike orët e punës u dha nga Marin me rastin e 120 vjetorit të krijimit të Partisë Socialdemokrate.
“Një javë pune me 4 ditë, një ditë punë me 6 orë, përse të mos jetë ky hapi i radhës”, shprehej Marin më 17 gusht.
Lajmi bëri bujë në mediat botërore, çka solli edhe reagimin e qeverisë finlandeze.
Aktualisht në Finlandë punohet mesatarisht 30 orë në javë, afërisht sa mesatarja evropiane. Sipas të dhënave të fundit të OSBE, vendet europiane ku oraret e punës janë më të gjata janë Italia, Greqia dhe Estonia. Italianët punojnë mesatarisht 33 orë në javë, 7 më shumë në krahasim me Gjermaninë.