Bota Kërkime pranë brigjeve tona/ Italia jep leje eksplorimi për naftë në Jon,...

Kërkime pranë brigjeve tona/ Italia jep leje eksplorimi për naftë në Jon, por “plas” brenda qeverisë

| Nga American Eye
Shpërndaje

Italia është gati të  nisë  eksplorimin për rezerva nafte dhe gazi në detin Jon, dhe për këtë arsye do ët bllokojë një hapësirë prej 2200 kilometrash katrorë. Këtë gjë e nënvizon vetë Ministria e Zhvillimit Ekonomik të Italisë, duke firmosur 3 leje të reja eksplorimi në favor të një shoqërie amerikane. Ky vendim ka sjellë përplasje të tjera brenda koalicionit qeverisës, pas atyre për gazsjellësin Transadriatik.

Lëvizja 5 yjet premtonte gjatë fushatës elektorale bllokimin e çdo procesi eksplorimi për naftë.

Ministri i ambientit Sergio Costa është në krye të kësaj armiqësie të re brenda koalicionit qeverisës pasi ka deklaruar se nuk do ta firmosë kurrë një dokument që autorizon operacionin e shpim-kërkimit në detin Jon. Vetë kreu i 5 yjeve, Luigi di Maio deklaroi se do të bëjë ç`është e mundur për ta ndalur këtë proces. Për të filluar ky proces, do të duhet që të arrihet një marrëveshje me qeverinë shqiptare, por edhe me atë greke.

Kjo e fundit ndërkohë e ka dhënë bekimin e saj, për zonën në jugperëndim të ishullit të Korfuzit, në një hapësirë brenda juridiksionit grek, ndërkohë që këtë vit do të ratifikojë marrëveshjen për delimitimin e 12 miljeve hapësirë detare. Zonat për të cilat është dhënë leja në fjalë janë poshtë brigjeve të Puglias e për rrjedhojë edhe shumë pranë brigjeve shqiptare. Marrëveshja mes Italisë dhe Shqipërisë ndërkohë mbetet ende pezull. Kështu, pas Greqisë, duket se është radha e Italisë që të nisë operacionet për kërkimin e naftës dhe gazit në detin Jon, ku vlerësimet paraprake flasin për rezerva mjaft të mëdha të arit të zi./SCAN