Aktualitet Kërkimet për biznesmenin e zhdukur, zbulohet një parcelë kanabisi. Çfarë filmuan kamerat...

Kërkimet për biznesmenin e zhdukur, zbulohet një parcelë kanabisi. Çfarë filmuan kamerat e sigurisë

Tv Klan arrin të zbardhë të tjera informacione për zhdukjen e biznesmenit 43-vjeçar Ruzhdi Hoxha, prej të cilit nuk ka asnjë gjurmë që prej 20 tetorit.

Gazetarja Bleona Metushi raporton se nga hetimet për këtë ngjarje është arrestuar Ferdinand Rushi. Ky ka qenë një nga personat me të cilët biznesmeni Hoxha ka qenë në lokal përpara se të zhdukej.

Ferdinand Rushi ka thënë para hetuesve se e kishte shoqëruar me makinë deri pranë shtëpisë së tij biznesmenin Ruzhdi Hoxha në hyrje të Kamzës. Por nga verifikimi i kamerave të sigurisë ka rezultuar se deklaratat e tij nuk qëndrojnë.

Gazetarja e Tv Klan ka mësuar se në bazë të kamerave të sigurisë, makina e Ferdinand Rushit ka devijuar rrugën në drejtim të Dajtit. Kamerat kanë kapur itinerarin e këtij automjeti, brenda të cilit besohet të ketë qenë edhe biznesmeni i zhdukur Ruzhdi Hoxha, deri në zonën e Qafë Mollës.

Pikërisht në këtë zonë, forcat e policisë kanë ushtruar kontrolle dhe kanë zbuluar një parcelë kanabisi. Gjatë aksionit, në këtë parcelë u gjet një roje, i cili ka thënë para hetuesve se parcela e kanabisit në Qafë Mollë i përket Ferdinand Rushit. Ky i fundit është vënë në pranga nga policia nën hetimin për kultivim të bimëve narkotike, por edhe sepse ndaj tij ka një urdhër-arresti nga Italia.

Dyshohet se biznesmeni Ruzhdi Hoxha mund të jetë rrëmbyer për përfshirje në trafik droge apo borxhe të pashlyera. Dhe personi i fundit që e ka parë biznesmenin, është pikërisht Ferdinand Rushi. Ky i fundit po merret në pyetje nga policia, ndërkohë që hetimet vijojnë.

Burimi: Tv Klan