Presidenti dhe kryeministri janë përplasur sërish këtë të enjte, pak orë përpara mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare për çështjen “Balili”. Përpara se kryeministri të nisej për një vizitë zyrtare për në Prishtinë, Ëngjëll Agaci, Sekretari i Përgjithshëm i Kryeministrisë i ka kërkuar Presidentit të Republikës që Rama të zëvëndësohej në këtë mbledhje nga zv/kryeministri Niko Peleshi, por përgjigjja nga homologu i tij i Presidencës, Ols Lafe ka qënë negative.
Duket se presidenti Nishani ka refuzuar zëvëndësimin e Ramës me Peleshin, pasi e vlerëson praninë e Ramës si vërtet të rëndësishme. Burime nga Presidenca, të kontaktuara nga Top Channel sqarojnë se në të tilla raste, sipas ligjit, kryeministri duhet t’i adresohet fillimisht me një kërkesë Presidentit të Republikës, ku duhet t’i parashtrojë se përse nuk mund të jetë pjesë e kësaj mbledhjeje.
Nëqoftëse Presidenti e pranon kërkesën, vetëm atëherë kryeministri mund të autorizojë dikë tjetër të shkojë në vend të tij. Në rastin konkret, kryeministri thjesht ka autorizuar zëvëndësin e tij dhe nuk ka paraqitur asnjë kërkesë pranë instuitucionit të Presidentit, gjë që nuk është pranuar nga kreu i shtetit, me argumentin se nuk është paraqitur asnjë arsye objektive mbi bazën e të cilave të vendosë për zëvëndësimin.
Edhe në mbledhjen e fundit të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, të thirrur për situatën e kultivimit të drogës në vend, kryeministri Edi Rama nuk ka qenë i pranishëm.