Dy mesfushorët e Milanit, Bakayoko dhe Kessie ja kanë hedhur paq, pasi ndaj tyre nuk është përdorur asnjë provë televizive nga gjykatësi sportiv për gjestin që bënë me fanellën e Acerbit gjatë festimeve në fund të sfidës ndaj bardhekaltërve.
Gjykatësi sportiv në Itali ka marrë masa për sherrin që ndodhi në përfundim të ndeshjes. Edhe pse nuk ka skualifikuar asnjë lojtar, plot 5 futbollistë përfshirë edhe trajnerin e Lazios Simone Inzaghi janë dënuar me nga 10 mijë euro gjobë.
Mes të dënuarve janë tre milanistë Bertolacci, Kessie e Musacchio si dhe Luiz Felipe e Patric.
Ndërkohë për fjalët kërcënuese që ka shprehur ndaj gjyqtarit në fund të takimit është skualifikuar deri në fund të këtij muaji drejtori sportiv i Lazios Igli Tare.
Përsa i përket të skualifikuarve të tjerë është dënuar me dy ndeshje sulmuesi i Torinos Simone Zaza për fjalët fyese ndaj gjyqtarit pas kartonit të kuq që mori në sfidën ndaj Cagliarit. Në këtë mënyrë Zaza do të humbasë edhe sfidën ndaj Milanit.