Bota “Kina është përgjegjëse për dëmet globale të COVID-19”

“Kina është përgjegjëse për dëmet globale të COVID-19”

Ekspertët e të drejtës ndërkombëtare vlerësojnë se për dëmet globale që ka shkaktuar koronavirusi i ri (COVID-19) që për herë të parë u shfaq në qytetin Wuhan të Kinës dhe u shndërrua në pandemi, përgjegjëse është administrata e Pekinit.

COVID-19 që deri më tani ka infektuar miliona njerëz dhe ka shkaktuar vdekjen e mbi 160.000 personave, ka bërë që shumë pjesëtarë të komunitetit ndërkombëtar, me në krye SHBA-në, të konfrontohen me Kinën.

Kina është në fokus të akuzave se në fillim të pandemisë nuk ishte transparent dhe ka ndarë “vonë dhe me mungesë” informacionet me Organizatën Botërore të Shëndetësisë (OBSH), ndërsa gjithashtu është në fokus të shumë shteteve me kërcënime për sanksione dhe kërkesa për kompensim.

Administrata e Pekinit kundër këtyre diskurseve në publikun ndërkombëtar është duke bërë thirrje që të “mos politizohet” çështja, duke pretenduar se që në fillim në mënyrë “transparente dhe të shpejtë” kanë ndarë informacionet në lidhje me pandeminë me OBSH dhe shtet tjera dhe organizatat ndërkombëtare.

Ekspertët vlerësuan zhvillimet në lidhje me COVID-19 në një intervistë për Anadolu Agency (AA).

“Mund të transferohet në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë”

Ligjërues në Departamenti i Drejtësisë në Academia Sinica me bazë në Tajvan, Prof. Dr. Fort Fu-Te Liao, theksoi se Kina, pavarësisht se kishte gjetje të mjaftueshme se pandemia e jashtëzakonshme si COVID-19 mund të kërcënojë shëndetin publik ndërkombëtar, nuk kishte njoftuar me kohë OBSH-në.

Liao tha se me këtë qëndrim Kina ka shkelur nenet përkatëse të Rregullores Ndërkombëtare të Shëndetësisë dhe Parimeve Ndërkombëtare të Shëndetësisë.

“Sipas nenit të 75-të kushtetutës së OBSH, në rast të një konflikti gjatë komentimit dhe zbatimit të kushtetutës, nëse nuk mund të negociohet ose zgjidhet nga Asambleja e Shëndetësisë, çështja transferohet në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë”, u shpreh ai.

“Kina është përgjegjëse nga dëmet që i dha vendeve tjera”

Ligjërues në Universitetin Chicago Prof. Dr. Tom Ginsburg, tha se “Në kontekstin e së drejtës ndërkombëtare, Kina, qoftë me veprimet e qoftë lëshimet, është përgjegjëse nga dëmet që i dha vendeve tjera”.

Por ai nënvizon problemin kryesor, atë se si do të merret ndonjë kompensim nga Kina dhe nëse administrata e Pekinit do të konsiderohet përgjegjëse.

“Është e vërtetë se Kina ka shtypur informacionet rreth pandemisë dhe se e ka informuar OBSH-në shumë vonë, por marrëveshja e OBSH-së, kërkon që një vend duhet t’i raportoj OBSH-së informacionet, jo vendeve tjera. Për këtë arsye, nuk është e qartë se cili shtet mund të kërkojë të drejta në një gjykatë ndërkombëtare”, theksoi Ginsburg.

Ai tërhoqi vëmendjen se në këtë drejtim mund të zbatohen sanksione ekonomike bilaterale dhe multilaterale. “Për këtë shkak një shtet mund t’i zbatojë sanksion ekonomik Kinës, por këto sanksione, duhet të jenë të ligjshme sipas marrëveshjes së Organizatës Botërore të Tregtisë”, tha ai.

Ndërsa Doc. Dr. Shih-Ming Kao, nga Universiteti Kombëtar Taiwan Ocean, pohoi se “nuk ka gjasa” që shtetet në mbarë botën të ndikuar negativisht nga COVID-19 të kërkojnë sanksione nëpërmjet ligjeve ndërkombëtare ose OBSH-së.

Ai nënvizoi se ligjet ndërkombëtare në krahasim me ato të ligjeve të brendshme të vendeve “mbeten të dobët”. “Për këtë shkak ndonjë padi, në rast se Kina refuzon të pranojë, është tejet vështirë që të transferohet në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë”, u shpreh Kao.

“Kina mund të injorojë”

Kao më tutje u shpreh se edhe pse gjykata vendimin përfundimtar e jep kundër administratës së Pekinit, Kina mund “ta injorojë këtë”.

Ai vuri në duke dosjen e Filipineve për Detin e Kinës Jugore në Gjykatën e Arbitrazhit Ndërkombëtar, duke treguar se Filipinet kanë fituar padinë ndaj administratës së Pekinit e cila pretendon pjesën prej 90 për qind të ujërave të diskutueshme, por se Kina nuk e ka njohur këtë vendim.

“Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara (OKB) mund të jetë një platformë potenciale por, Kina këtu e ka statusin e anëtarit të përhershëm që ka të drejtë të vetos. Për këtë nuk është e mundshme të zbatohet sanksion ndaj Kinës nëpërmjet organizatave ndërkombëtare si OKB ose OBSH”, theksoi Kao.

Ai shtoi se këto iniciativa mund të japin asgjë përpos dëmtimit të reputacionit të Kinës.

“Të gjitha shtete dhe organizatat e mëdha si SHBA, Bashkimi Evropian (BE), Japonia dhe Britania e Madhe në mënyrë kolektive mund të zbatojnë sanksione ndaj Kinës. Pekini në këtë mënyrë mund të shtyhet të kërkojë falje dhe të sigurojë kompensimin e duhur vendeve që vuajnë nga kjo”, tha ai./ Anadolu Agency (AA).