Kina mori masa drastike për të përballuar koronavirusin në mesin e muajit janar, por zëri u ngrit fillimisht nga mjeku Li Wenliang për rrezikun që po i kanosej vendit që në dhjetor.
Askush nuk e dëgjoi në atë kohë mjekun 34-vjeçar, madje u ngritën edhe akuza ndaj tij për përhapje të informacionit të rremë.
Në dhjetor të vitit të kaluar, Li Wenliang konstatoi 7 raste në spitalin e Wuhan-it të një virusi, për të cilin ai ishte shprehur se i kujtonte Sarsin.
Ai paralajmëroi kolegët e tij dhe autoritetet për kujdes, por askush se dëgjoi. Më pas, ai zbuloi situatën në rrjetet sociale, duke publikuar një fotografi të tij nga spitali, tashmë i infektuar me koronavirus, nga i cili humbi edhe jetën.
Tashmë që koronavirusi u ka marrë jetën më shumë se 10 mijë personave në të gjithë botën, nga të cilët më shumë se 3 mijë në Kinë, autoritetet në vendin e origjinës së koronavirusit i kanë kërkuar falje mjekut 34-vjeçar, por është shumë pak dhe shumë vonë. Nëse Li do të ishte dëgjuar, bota ndoshta do të ishte në normalitet tashmë.