Krahas Rusisë dhe ISIS, një tjetër sfidë komplekse po paraqitet për NATO-n. Rritja e influencës ekonomike dhe ushtarake të Kinës ka shqetësuar Organizatën e Atlantikut të Veriut, aq sa sekretari i përgjithshëm Jens Stoltenberg po kërkon aleanca në Azinë e Paqësorit.
“NATO duhet të kuptojë se fuqizimi i Kinës dhe shtrirja e influencës së saj nëpër botë mund të kthehet shumë shpejt në një sfidë për vendet anëtare të organizatës”. Deklarata është bërë nga sekretari i përgjithshëm Jens Stoltenberg, i cili ka theksuar se intensifikimi i rolit të Pekinit, sidomos në detin e Kinës së Jugut, ngre shqetësime mbi qëllimet reale të tij. “Kjo nuk do të thotë se ne duhet të zhvendosim forcat e NATO-s në Paqësor, por ka të bëjë me përgjigjen tonë ndaj faktit se Kina po afrohet tek ne”, ka thënë Stoltenberg në një intervistë për agjencinë e lajmeve “Reuters”.
Rreziku kinez
Ai ka theksuar se, investimet e Kinës në Europë, rritja e pranisë së saj në Arktik dhe Afrikë, si dhe në hapësirën kibernetike përbën një shqetësim serioz. “Kjo situatë e bën të domosdoshme që NATO t’i përgjigjet rritjes së Kinës dhe në këtë aspekt duhet të bashkëpunojmë me partnerët tanë si Australia, Zelanda e Re, por edhe Japoninë e Korenë e Jugut”, ka thënë Stoltenberg, i intervistuar gjatë një vizite në Australi.
Pekini zyrtar ka deklaruar disa herë se zhvillimi i tij ekonomik dhe ushtarak nuk përbëjnë rrezik për vendet e tjera. Sidoqoftë, tensionet me Perëndimin janë ngritur, të ndikuara edhe nga lufta tregtare me Shtetet e Bashkuara. Pak ditë më parë, sekretari amerikan i Mbrojtjes, Mark Esper deklaroi se administrata amerikane po shqyrton vendosjen e raketave me rreze të mesme veprimi në rajonin e Azisë së Paqësorit.
“SHBA nuk do të largohet nga aleanca”
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg shprehu bindjen se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vazhdojnë të qëndrojnë në aleancë.
Stoltenberg, i cili ndodhet për një vizitë në Zelandën e Re, tha se beson se SHBA-të do të vazhdojnë të qëndrojnë në aleancën e NATO-s duke treguar se nuk kanë bërë ndonjë përgatitje në lidhje me këtë për arsye se nuk shohin një mundësi të tillë.
Ai tha se qëndrimin e SHBA-ve në NATO e mbështesin të dyja palët dhe se SHBA-të këtë e kanë dëshmuar duke rritur praninë ushtarake në Evropë.
Stoltenberg thekson se “thirrja e presidentit amerikan Donald Trump ndaj vendeve tjera anëtare që të japin më shumë kontribute ndaj aleancës do të realizohet”.
Gazeta “New York Times”, ka shkruar se Trump në vitin 2018 shumë herë ka diskutuar mbi çështjen e largimit nga NATO-ja me këshilltarët e tij të lartë.