Extra Kjo grua lindi në mes të provimit

Kjo grua lindi në mes të provimit

Brianna Hill, e sapodiplomuar për Drejtësi në Universitetin Loyola në Çikago, lindi teksa ishte duke dhënë provimin më të rëndësishëm të jetës.

Brianna tregoi se nuk mendonte se lindja e bebushit do të ndodhte pikërisht duke dhënë provim.

“Mendoja se do të isha vetëm 28 javëshe kur të jepja këtë provim. Gjithsesi, me pandeminë dhe gjithçka tjetër që ndodhi në botë, provimi u shty për në tetor, muaj në të cilin unë do të isha 38-javëshe. Tallesha duke menduar se do ta jepja provimin nga shtrati i maternitetit, por ja që ndodhi e kundërta. Po ndjeja diçka pas 30 minutave që isha futur në provim“, tha ajo për CNN.

“Po shpresoja shumë që të mos më shpërthenin ujërat. Nuk mund të lëvizja për të kontrolluar asgjë, kështu që mbarova pjesën e parë të provimit. Sapo lëviza e ndjeva që isha gati për të lindur!”

Brianna rrëfen se e kuptoi se kishte ardhur momenti të lindte, por megjithatë, mblodhi forcat dhe nuk hoqi dorë nga provimi, i cili ishte i ndarë në faza.

“Mora pushimin tim, u përpoqa të rregullohem, telefonova tim shoq, mamin dhe nisa të qaja sepse isha e frikësuar. Pastaj u ula sërish për të mbaruar provimin, derisa të më merrnin që të shkoja në spital. S’kisha asnjë opsion tjetër në mendje veçse ta mbaroja atë provim, kur në mbrëmje erdhi bebi. Ditën tjetër, stafi i spitalit më krijoi hapësirën e nevojshme për ta mbaruar provimin duke vendosur në derë njoftimin: “Mos shqetësoni!” Kështu provimi u krye dhe bebushi lindi në mes të tij”, shtoi ajo.