Italia parashikohet që të mos ketë asnjë të infektuar të ri me koronavirus brenda një muaji ose një muaji e gjysmë.
Kjo është periudha e parashikuar nga Instituti Einaudi për Ekonomi dhe Financa, i cili e ka bazuar këtë parashikim në bazë të të dhënave të tanishme.
Në bazë të këtyre të dhënave, ky institut ka dalë në përfundimin që më 22 prill në Lombardi nuk do të ketë asnjë të prekur të ri, ndërsa Italia do të ndjehet e çliruar ndërmjet 5 deri në 16 maj. Ndërkohë, kulmi i pandemisë në vendin fqinj është parashikuar për javën e ardhshme.
Sipas të dhënave, rajoni i fundit që do të zhdukë kërcënimin nga virusi do të jetë Toskana, më 5 maj. Siç raportohet nga “Corriere della Sera”, llogaritjet e bëra nga ky institut janë të bazuara në të dhënat e siguruara nga Mbrojtja Civile.