Bota Koronavirusi në Itali: Ka më shumë të shëruar sesa raste të reja

Koronavirusi në Itali: Ka më shumë të shëruar sesa raste të reja

Ulet ndjeshëm numri i rasteve të reja në Itali. Janë 2.646 të prekur të rinj, 724 më pak se dje. Por buletini i sotëm i Mbrojtjes Civile tregon edhe anomalinë lombarde ku gjenden më shumë se një e treta e rasteve të reja. Rritet  edhe pse pak, numri i të vdekurve. Sot në Itali janë shënuar 464 viktima, 437 ishin dje.

Ajo që është e rëndësishme për rihapjen e Italisë është ulja drastike e të shtruarve në spitale: 934 pacientë më pak në repartet e zakonshme të Covid dhe 117 shtretër lirohen sërish në terapitë intensive.

Rekord numri i të shëruarve, mbi tremijë në një ditë, ndërsa ulet akoma më shumë numri i përgjithshëm i pozitivëve, 851 më pak në 24 orët e fundit.

Edhe tamponët që janë bërë kanë qenë të shumtë, mbi 66 mijë, ndërsa Mbrojtja Civile informon se deri sot u janë nënshtruar kontrolleve një milion  e 52 mijë persona. Ky numër do të thotë se 18% e atyre që janë testuar kanë dalë pozitivë. Një shifër jo e lartë që tregon se kontrollet, pavarësisht vështirësive të fillimit, kanë qenë efikase.