Bota Koronavirusi në Itali: Rriten rastet e reja, qeveria vendos disa masa

Koronavirusi në Itali: Rriten rastet e reja, qeveria vendos disa masa

Janë 162 rastet e reja me Covid në 24 orët e fundit në Itali. Një rritje kjo në krahasim me 114 rastet e djeshme. Ndërsa viktimat janë 13, në ulje në krahasim me 17 viktimat dje.

Rastet totale kapin shifrën 243.506, ndërsa viktimat 34.997.

Të shëruarit kanë kapur kuotën 198.016, me 575 të shëruar sot.

Lombardia ka regjistruar 63 raste të reja me koronavirus në 24 orët e fundit, e barabartë me 38,8% të rasteve totale kombëtare (162), në rritje në krahasim me dje, por gjithnjë në një nivel më të ulët në krahasim me javët e fundit.

Nga ana tjetër, qeveria italiane planifikon të vendosë disa masa për të kufizuar përhapjen e koronavirusit të paktën në fund të korrikut, përfshirë përdorimin e maskave në vendet publike, deklaroi ministri italian i Shëndetësisë.

Ministri Roberto Speranza theksoi në parlament se ”njerëzit duhet të vazhdojnë të mbajnë maska në bare, restorante, dyqane, autobusë dhe trena”.

Distanca sociale është vendosur gjithashtu të vazhdojë.

Ndalimet e hyrjes mbeten në fuqi për shumë vende jashtë BE-së, ose përndryshe duhet të kalojnë 14 ditë në izolim.

Speranza u tha ligjvënësve se ekziston një “rrezik i importit të virusit nga jashtë”, dhe kjo është arsyeja pse kontrollet e rrepta duhet të mbeten në aeroporte, porte dhe anije migruese.