Bota Koronavirusi prek të gjitha shtetet amerikane, rritet bilanci i viktimave

Koronavirusi prek të gjitha shtetet amerikane, rritet bilanci i viktimave

Koronavirusi vdekjeprurës ka prekur të gjitha 50 shtetet amerikane, ndërsa Virxhinia Perëndimore raportoi rastet e para. Guvernatori Jim Justice tha se e priste një zhvillim të tillë dhe njoftoi se kishte bërë përgatitjet e nevojshme.

Qyteti i Nju Jorkut po shqyrton mundësinë e izolimit total, të ngjashëm me atë në San Francisco. Kryebashkiaku Bill de Blasio tha se do të vendosë brenda dy ditëve nëse të urdhërojë 8,5 milionë banorët e Nju Jorkut të qëndrojnë brenda në banesa. Mbi 100 persona kanë humbur jetën në Shtetet e Bashkuara për shkak të Covid-19, ndërsa mbi 6 000 të tjerë rezultojnë të infektuarit.

Shtëpia e Bardhë kërkon një fond emergjence prej 45,8 miliardë dollar për të përballuar pandeminë, por në total pakoja me stimuj ekonomikë pritet t’i tejkalojë 1 trilionë dollarët. Sekretari Amerikan i Thesarit, Steven Munchin, paralajmëroi senatorët, kryesisht ata republikanë, se nëse Kongresi dështon të veprojë, papunësia mund të shkojë deri në 20%, thuajse dyfishi i nivelit të papunësisë së shënuar gjatë Recesionit të Madh pas krizës financiare të vitit 2008.

Brenda dy javëve pritet të hyjë në fuqi dhe një vendim tjetër i administratës së Presidentit Donald Trump: qeveria amerikane do të dërgojë çeqe për amerikanët, në mënyrë që ata të kenë para’ për të shpenzuar gjatë krizës së koronavirusit. Ndërsa do të angazhojë dhe ushtrinë për të ngritur spitale dhe struktura të tjera për të vendosur të infektuarit me Covid-19.

Për të frenuar përhapjen e kësaj pandemie, Trump urdhëroi ndërprerjen e udhëtimeve mes Amerikës dhe vendeve të Bashkimit Europian, ndërsa po konsideron që të ndërpresë dhe fluturimet brenda vendit.