Kryesore Koronavirusi, Rama paralajmëron rimbyllje “nëse do të vazhdojmë kështu”

Koronavirusi, Rama paralajmëron rimbyllje “nëse do të vazhdojmë kështu”

Kryeministri Edi Rama u bëri thirrje të gjithë qytetarëve të zbatojnë rregullat në pandemi, pasi nëse do të vazhdojmë kështu, tha Rama, do të rimbyllemi.

“Se sa shumë u shtuan zërat tuaj se kjo është lojë politike, se ky është konspiracion ndërkombëtar, se unë kisha frikë nga protestat. Por nuk i vë faj askujt. Nuk u vë faj as atyre se me politikën e tyre “hip se të vrava, zbrit se të vrava” dhanë mesazhe skandaloze. Kur vendosëm të heqim masat ishim të qartë se hapja do të sillte me vete edhe rrezikun e harresës, por bëmë gjënë e duhur.

Kemi zgjedhur me vetëdije rrugën e këshillimit dhe të mirëkuptimit dhe jo të ndëshkimit dhe të mbylljes së bizneseve që nuk respektojnë protokollin e sigurisë, pasi duam t’ia lehtësojmë të gjithëve hallin. E dinim se numrat do të rriteshin. Ashtu sikundër iu kam kërkuar të mirëkuptoni nevojën për një solidaritet të ri në respektimin e rregullave. Me policë dhe ushtarë mund të kontrollosh mbylljen, por nuk mund të bësh këtë për hapjen. Unë nuk kam ndryshuar mendim. Për bukën e gojës në Shqipëri nuk ka vdekur askush, por po kaq e vërtetë është edhe tjetra, një mbyllje tjetër do të ishte dërrmuese për Shqipërinë dhe për çdo familje. Nëse do të vazhdojmë kështu, fatkeqësisht do të na duhet të rimbyllemi”, tha Rama në një videomesazh në Facebook.

Më tej, kryeministri bëri të ditur se nuk do të lejohet më asnjë lloj grumbullimi, qoftë edhe politik.

“Kush merr pjesë në grumbullime më të mëdha sesa numri i lejuar, do të penalizohet. Bizneset që nuk respektojnë masat e sigurisë nuk do të tolerohen më, rrezikojnë edhe heqjen e lirisë. Qytetarët do të vazhdojnë të qarkullojnë lirisht, por do të penalizohen nëse kapen në shkelje të rregullave në hapësirat e përbashkëta publike”, u shpreh Rama.