Bota Kremlini: Tërheqja nga Kherson nuk na turpëron, mbetet territor rus. SHBA tregon...

Kremlini: Tërheqja nga Kherson nuk na turpëron, mbetet territor rus. SHBA tregon se kur mbaron lufta në Ukrainë

Në Kherson, një vajzë në rrugë me flamurin ukrainas pas tërheqjes së rusëve

Në qendër të Kherson valëvitet sërish flamuri i Ukrainës. Kjo pasi Rusia njoftoi tërheqjen e plotë të ushtarëve të saj nga ky qytet, të cilin e pushtoi të parin në luftën e nisur më 24 shkurt të këtij viti. “Asnjë armë apo pjesë e pajisjeve ushtarake nuk është lënë pas. Të gjithë ushtarët e Rusisë janë zhvendosur në kahun e majtë të lumit Dnieper”, tha Ministria ruse e Mbrojtjes.

Pasi u larguan, forcat ruse shkatërruan pjesërisht urën Antonovski, që konsiderohet me një rëndësi mjaft të madhe në betejë. Pavarësisht tërheqjes, Kremlini nuk heq dorë nga pretendimi se i gjithë rajoni Kherson vazhdon të mbesë pjesë e Federatës.

“Kherson është pjesë e Federatës Ruse, kjo është përcaktuar ligjërisht. Nuk ka dhe nuk do të ketë ndryshime”, tha Dmitry Peskov, zëdhënës i Kremlinit.

Ai shtoi se Rusia nuk është turpëruar nga kjo tërheqje, e cila po lexohet nga liderët perëndimorë si një tjetër disfatë e Putinit në fushëbetejë. Peskov foli edhe për mundësitë që kjo luftë të marrë fund.

“Operacioni special në Ukrainë mund të përmbyllet pasi të jenë përmbushur të gjitha objektivat. Ose mund të përfundojë me bisedimet e paqes. Por negociatat nuk janë të mundura aktualisht nga qëndrimi i Ukrainës”.

Kjo ishte një përgjigje për deklaratën e presidentit amerikan, Joe Biden, sipas të cilit lufta në Ukrainë nuk do mbarojë derisa ushtria e Vladimir Putinit të largohet plotësisht nga territori i vendit fqinj. Sakaq, Rusia vijon të pësojë disfata të tjera në terren, me presidentin, Volodymyr Zelensky, që konfirmoi se mbi 40 zona të ndryshme janë rimarrë nga pushtuesit. Në një prej tyre, në Mikolaiv, ushtria e Moskës i është përgjigjur disfatës duke lëshuar sulme ajrore në zona të banuara, ku u vranë 6 persona dhe disa të tjerë mbetën të plagosur.