Aktualitet Krifca: Krijim dhe formalizim i Grupeve Vendore të Veprimit

Krifca: Krijim dhe formalizim i Grupeve Vendore të Veprimit

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural po punon fort për të  orientuar krijimin dhe formalizimin e Grupeve Vendore të Veprimit (GVV), si aktorë të rëndësishëm në ndërtimin e zbatimin e strategjive lokale për zhvillimin rural.

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca priti në një takim të veçantë përfaqësues të GVV-ve nga qarqe të ndryshme të vendit, me një ide të qartë për t’i mbështetur dhe nxitur ata në këtë sipërmarrje të re të GVV-ve, si nukli që do të çojë përfitime në lokalitetin rural dhe deri tek fermerët më të vegjël të zonës.

“Pas miratimit të ligjit të ri për krijimin e Grupeve Vendore të Veprimit (GVV), ndërtimit të akteve nënligjore, ndërtimit të paketës së akreditimit për Qasjen Leader, komunikojmë pareshtur për të orientuar krijimin dhe formalizimin e GVV, të cilët i konsiderojmë aktorë tepër të rëndësishëm për ndërtimin dhe zbatimin e strategjive lokale për zhvillimin rural”, u shpreh Krifca.

Ministrja tha se, “diskutuam hapat e këtij procesi në Ministri dhe zgjidhjen e problematikave të ndryshme me më shumë se 20 grupe aktorësh lokalë nga e gjithë Shqipëria të cilët na janë bashkuar në këtë vizion e kanë vendosur që në zona të ndryshme të vendit të organizohen si Grupe Vendore Veprimi për të zbatuar Qasjen Leader të Bashkimit Evropian së bashku me bashkitë respektive për zhvillimin e mëtejshëm për fshatin apo krahinën e tyre”.

Krifca bëri të ditur se, rruga e zhvillimit rural në Shqipëri në vitet e ardhshme, do të ketë karakteristikat dhe masat e ndërhyrjes që janë provuar të efektshme në Evropë.

“Me IPARD III do të mund të zgjerojmë financimin në Shqipërinë rurale”, u shpreh ministrja, teksa vuri në dukje se, “e ardhmja e zhvillimit rural bëhet e sigurt me ndërveprim, pjesëmarrje dhe bashkëpunimin e aktorëve të zonave territoriale rreth burimeve natyrore të bujqësisë traditës, peshkimit apo artizanatit përreth të gjithë atyre faktorëve të cilët e bëjnë një territor të veçantë”.