Libri është masakruar nga kritikët letrarë, por edhe nga ambasadori shqiptar në Angli, për mënyrën se si portretizon shqiptarët.
Kritikët janë shprehur të gjithë me tone negative në lidhje me librin e ri të autores së “50 Shades of Grey”.
Libri i saj i parë shiti mbi 100 milionë kopje, dhe ky shkrim i dytë, sipas kritikëve, është pak a shumë e njëjta strukturë tregimi që nuk sjell asnjë gjë të re, përveçse është më jo-interesant se libri i mëparshëm.
Në librin e parë, 50 Hijet e Grejit, një vajzë e virgjër 23-vjeçare, studente, njihet me një pasanik dominant, Grejin, me të cilin përjeton një pasion të ethshëm seksual.
Në këtë libër është sërish një vajzë e virgjër, po 23-vjeçare, e cila po ashtu njihet me një pasanik dominant, Maksim Trevelian. Vetëm se këtë herë, 23-vjeçarja e virgjër është një vajzë shqiptare nga Kukësi, e trafikuar nga shqiptarë të tjerë dhe e shitur si skllave seksi, e cila punon tani si shërbyese në shtëpinë e Maksimit.
Përveç kritikave letrare, ambasadori shqiptar në Angli, Qirjako Qirko, sipas mediave britanike, e ka kritikuar ashpër shkrimtaren për mënyrën se si i ka portretizuar shqiptarët. Vajza shqiptare, Alesia Demaçi, përshkruhet si një injorante që magjepset nga përdorimi i teknologjisë, si smartfonë e karta krediti, ndërsa shqiptarët e tjerë dalin të gjithë kriminelë e trafikantë femrash.
Ambasadori shqiptar tha se kjo është e papranueshme, shumë larg realitetit të Shqipërisë, që është një vend mëse i sigurt për të huajt e për vendasit.