Ekonomi Kriza energjetike paraqet “rendin” e ri europian: Një Itali e fortë dhe...

Kriza energjetike paraqet “rendin” e ri europian: Një Itali e fortë dhe një Gjermani e sëmurë

Kulla e Televizionit pranë Katedrales Protestante në Berlin shkëlqen në muzg me drita të reduktuara për të kursyer energji

Francesca Landini, Christoph Steitz – Reuters

Në javët pas pushtimit rus të Ukrainës më 24 shkurt, Claudio Descalzi, administrator i përgjithshëm i gjigantit italian të energjisë Eni, kreu vizita të shpeshta tek furnizuesit e gazit në Afrikë. Vizitat përfshinin takime me zyrtarë në Algjeri në shkurt, si dhe bisedime në Angola, Egjipt dhe Republikën e Kongos në mars, ku Descalzi shpesh shoqërohej nga zyrtarë të lartë të qeverisë italianë, sipas njoftimeve të kompanisë dhe qeverisë.

Eni, një kompani e kontrolluar nga shteti, ishin në gjendje të përfitonin nga marrëdhëniet e tyre ekzistuese të furnizimit me ato vende për të siguruar gaz shtesë që të zëvendësonin një pjesë të madhe të vëllimeve që merrnin nga furnizuesi i tyre më i madh, Rusia. Është një kthesë e zgjuar që shumë vende europiane nuk kanë arritur ta kryejnë pasi lufta e Vladimir Putin e ka shtyrë kontinentin në një realitet alternativ.

Shembulli kryesor është Gjermania. Si një fuqi ekonomike dhe një shembull i lartë i planifikimit të mençur, ajo është kapur plotësisht e papërgatitur. Është në prag të recesionit, industria e saj po përgatitet të racionojë gazin dhe energjinë elektrike dhe sapo ka shtetëzuar një objekt të madh.

Italia, një vend i njohur me krizat ekonomike, duket relativisht elastike. Ajo siguroi furnizime shtesë dhe është e bindur se nuk do të ketë nevojë të racionojë gazin, me qeverinë e saj që e konsideron vendin si “më të mirin në Europë” për sa i përket sigurisë energjetike.

Të dyja vendet e gjejnë veten në rrethana të kundërta pasi barra e një krize të rëndë energjetike ndryshon në të gjithë kontinentin. Pjesa më e madhe e rajonit përballet me një krizë të furnizimit dimëror, me Gjermaninë, Hungarinë dhe Austrinë të goditura keq nga një krizë. Vendet më pak të prekura janë Franca, Suedia dhe Britania, të cilat tradicionalisht nuk varen nga Rusia, ashtu si edhe Italia.

Një specialist i naftës dhe gazit në firmën kërkimore Wood Mackenzie, tha se megjithëse Italia e ka parë prej kohësh Rusinë si furnizuesin më të madh të gazit, diversiteti më i madh i furnizuesve dhe lidhjet e gjata me Afrikën nënkuptojnë se është në një pozicion më të mirë për të përballuar situatën aktuale, krahasuar me vendet e tjera.

Kompania Eni ka marrëdhënie shumë të forta me të gjitha vendet me të cilat punon në Afrikën e Veriut dhe është e pranishme në të gjitha: Algjeri, Tunizi, Libi, Egjipt dhe në shumicën e këtyre vendeve është investitori më i madh në rrjedhën e sipërme të gazit.

Nga ana tjetër, Ministria e Ekonomisë e Gjermanisë tha se dëshiron të largohet nga importet e gazit rus sa më shpejt të jetë e mundur dhe të diversifikojë furnizimet e saj, duke përmendur hapat e hershëm drejt kësaj, siç është dhënia me qira e pesë terminaleve lundruese të gazit të lëngshëm. Gjermania, aktualisht nuk ka terminale të gazit të lëngshëm, ndërsa Italia ka tre në funksionim dhe së fundmi ka blerë dy të tjerë.

Një tregim i dy blerësve

Italia konsumoi 29 miliardë metra kub gaz rus vitin e kaluar, duke përbërë rreth 40% të importeve të saj. Eni tha se po zëvendëson gradualisht rreth 10.5 miliardë metra kub duke rritur importet nga vendet e tjera qër nga ky dimër. Pjesa më e madhe e gazit shtesë do të vijë nga Algjeria, e cila tha më 21 shtator se do të rriste dërgesat në Itali me rreth 20% në 25.2 miliardë metra kub këtë vit. Kjo do të thotë se do të bëhet furnizuesi më i madh i Italisë, duke siguruar pothuajse 35% të importeve. Ndërkohë, Descalzi tha se pjesa e Rusisë ka rënë në nivele shumë të ulëta.

Sipas kompanisë Eni, nga pranvera e vitit 2023, do të fillojë një rritje e fluksit të gazit të lëngshëm nga Egjipti, Katari, Kongo, Nigeria dhe Angola, duke lejuar Italinë të zëvendësojë 4 miliardë metra kub të tjerë gaz rus.

Gjermania, e cila vitin e kaluar importoi 58 miliardë metra kub gaz rus, që përbënte 58% të konsumit, është përballur me ndalimin e furnizimeve në tubacionin Nord Stream 1 që nga gushti. Në pamundësi për të siguruar furnizime alternative afatgjata nga vendet e tjera dhe duke mos patur asnjë kompani të madhe kombëtare të naftës dhe gazit me prodhim në det të hapur, Gjermania u detyrua të shkonte në tregun spot, ose me para’ në dorë, pasi duhej të paguante rreth tetë herë më shtrenjtë çmimet për të zëvendësuar gazin rus.

Faktorët përtej kontrollit njerëzor mund të formojnë sigurinë e energjisë: Gjermania nuk gëzon afërsinë e Italisë me Afrikën e Veriut, ose pasuritë e Britanisë dhe Detit të Veriut të Norvegjisë. Nuk ka rezerva të konsiderueshme nafte apo gazi. Megjithatë, zyrtarët dhe administratorët e kompanive gjermane i kanë kryer llogaritë gabim vitet e fundit, veçanërisht pas aneksimit nga Rusia të Krimesë, duke sugjeruar se kriza aktuale mund të përfundonte ndryshe.

Në vitin 2006, Italia ishte më e shpejta për të marrë gazin rus, me kompaninë Eni, që në atë kohë ra dakord për marrëveshjen më të madhe të gazit ndonjëherë që një kompani europiane kishte me gjigantin energjetik të kontrolluar nga Moska, Gazprom.

Por, në tetë vitet e fundit, vendet kanë ndryshuar: Gjermania dyfishoi gazin rus dhe u bë gjithnjë e më e varur, ndërsa Italia kërkonte të mbronte investimet e saj. Italia filloi të hartonte një kurs tjetër në vitin 2014 kur një qeveri e re zëvendësoi atë të Silvio Berlusconit, një mik i vjetër i Putinit, dhe Descalzi mori drejtimin e Eni-t. Një burim tha se Descalzi, një specialist eksplorimi dhe prodhimi që ka mbikëqyrur projekte në vende si Libia, Nigeria dhe Kongo, është fokusuar në atë që ai di më mirë: eksplorimin e Afrikës.

Claudio Descalzi, administrator i përgjithshëm i gjigantit italian të energjisë Eni

Një sukses i madh u arrit në Egjipt në vitin 2015, kur Eni zbuloi fushën më të madhe të gazit në Mesdhe. Ndërsa, Descalzi e ka drejtuar Eni në rrugën e shpejtë të projekteve, kompania filloi prodhimin në Egjipt në më pak se dy vjet e gjysmë, një zhvillim relativisht i shpejtë në këtë industri.

Në Algjeri, ku Eni ka qenë e pranishme që nga viti 1981, kompania përfundoi një marrëveshje në vitin 2019 për të rinovuar importet e gazit deri në vitin 2027.

Udhëkryqi në Krime

Aneksimi i Krimesë nga Rusia në vitin 2014 dhe sanksionet perëndimore që pasuan, ishin një moment vendimtar.

Në përgjigje të sanksioneve, Roma tërhoqi mbështetjen e saj për projektin jugor të Gazprom prej 40 miliardë dollarësh, i cili synonte të transportonte gaz nga Rusia në Hungari, Austri dhe Itali duke anashkaluar Ukrainën. Rrjedha e Jugut u braktis nga Eni më vonë atë vit, përpara se të ndërpritej nga Moska.

Në vend të kësaj, Italia i ktheu sytë drejt ndërtimit të një gazsjellësi më të vogël përtej Adriatikut, nga Azerbajxhani përmes Greqisë dhe Shqipërisë. Në të njëjtën kohë, Gjermania nuk e zvogëloi ekspozimin e saj ndaj Rusisë.

Pas aneksimit të Krimesë nga Rusia në vitin 2014, analistët u shprehen se, Europa dhe Rusia kanë krijuar një partneritet energjetik gjatë katër dekadave dhe nuk ka pasur asnjë ditë të vetme në atë periudhë kur gazi është përdorur si një armë strategjike kundër Perëndimit. Për më tepër, një marrëveshje u përfundua në vitin 2015 midis Gazprom dhe kompanive E.ON dhe Wintershall të Gjermanisë për të formuar një konsorcium për ndërtimin e gazsjellësit Nord Stream 2.

Dhe Gjermania u trondit sërish!

Një ditë përpara se Moska të pushtonte Ukrainën, Klaus-Dieter Maubach, administrator I Përgjithshëm i kompanisë Uniper, importuesi më i madh gjerman i gazit rus, e konsideroi Gazpromin si një furnizues të besueshëm. Që atëherë ai ka ndryshuar mendje.

Shtatë muaj më vonë, Uniper po përgatitet të padisë Gazprom për dëmet nga furnizimet e shkurtuara, dhe ajo është shpëtuar me 29 miliardë euro nga qeveria gjermane, e cila ra dakord në shtator për të shtetëzuar kompaninë.

Gjermania synon të zëvendësojë plotësisht gazin rus deri në mesin e vitit 2024, megjithëse disa kompani besojnë se mund të zgjasë më shumë se kaq, duke pasur parasysh mungesën e burimeve alternative dhe vështirësinë e prokurimit.

Të gjithë janë dakord se do të jetë një lëvizje tepër e shtrenjtë. “Ne jemi mbështetur për një kohë të gjatë dhe shumë në furnizimet me energji nga Rusia”, tha kancelari gjerman Olaf Scholz në qershor. “Formula e vjetër se Rusia është një partner i besueshëm ekonomik edhe në kriza nuk është më e vlefshme”, shtoi ai.