Kroacia është e bindur se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut do të marrin një sinjal pozitiv për hapjen e negociatave në maj të këtij viti, duke thënë se po punon vazhdimisht në këtë drejtim.
Kryeministri kroat Andrej Plenković tha sot në prezantimin e programit të presidencës kroate të BE-së për gjashtë muajt e ardhshëm se po punon për marrjen e dritës jeshile për negociatat gjatë samitit të Ballkan Perëndimor në maj të vitit 2020 në Zagreb. Plenkoviç theksoi se Samiti do të dërgojë një mesazh të qartë se vendet në rajonin e Ballkanit Perëndimor janë të mirëseardhura në BE.
“Qëllimi përfundimtar i negociatave duhet të jetë anëtarësimi në BE. Kjo është në qendër të politikës së zgjerimit“, theksoi Plenkoviç.
Plenkoviç shpjegoi se organizimi i samitit BE-Ballkan Perëndimor në Zagreb dhe hapja e negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë do të jetë një nga detyrat parësore të Kroacisë gjatë presidencës së Bashkimit Europian.
“Ne nuk e fshehim ambicien tonë për të mbështetur për hapjen e negociatave të pranimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Raporti i ardhshëm i Komisionit Europian dhe propozimet për të përmirësuar metodologjinë e negociatave të pranimit do të jenë thelbësore në këtë drejtim ”, tha Plenkovikov.
Ai vlerësoi se vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor ishin akoma në “dhomën e pritjes” të BE-së dhe se kishte ardhur koha për një sinjal pozitiv.