Politika Kryemadhi, mesazh deputetëve të saj: Kush nuk dorëzon mandatin, përfundon në kazan...

Kryemadhi, mesazh deputetëve të saj: Kush nuk dorëzon mandatin, përfundon në kazan plehrash!

Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, ka bërë një paralajmërim për deputetët e partisë së saj.

Pyetjes se cili nga ata nuk ka firmosur akoma për dorëzimin e mandatit, Kryemadhi iu përgjigj: “Këtu nuk është çështje deputeti, por çështje fryme, kush do deputet që kërkon të përfundojë në kazan plehrash si në Ukrainë le ta provojë….”.

Deri tani, është zyrtarizuar vetëm deputeti Lefter Koka, i cili publikisht ka pranuar se nuk ka ndër mend të djegë mandatin e tij të dhënë nga populli. Megjithatë, përflitet se ka pasur edhe deputetë të tjerë të LSI-së që nuk kanë dashur të lënë mandatin.

Ndërkohë, sa i takon protestës dhe ecurisë së zhvillimeve politike të opozitës, Kryemadhi tha: “Mesazhi është shumë i qartë, qytetarët na dhanë më shumë energji për ta çuar deri në ndarjen përfundimtare me atë Parlament, për të cilin shqiptarët besuan 27 vjet, por që na kthyen pas. Opozita është e lirë nga kapja e çdo zinxhiri politik në lidhje krimin, më shumë se çdo gjë tjetër, liria vlen më shumë. Morali që kemi ne aty, nuk është të përfaqësojmë oligarkët qoftë nga drejtësia e qoftë nga krimi”.