Opinione Ku ulet Edi Rama dhe a lodhet Vuçiçi?

Ku ulet Edi Rama dhe a lodhet Vuçiçi?

Gjatë dy ditëve të fundit në Stamboll është mbajtur një samit mbi energjinë. Pala turke ka ftuar delegacione të shumta për të diskutuar për këtë temë të rëndësishme. Ministri i Jashtëm amerikan Rex Tillerson para se të udhëtojë në Gjirin Persik është ndalur në metropolin e Bosforit dhe u ka thënë pjesëmarrësve se i mungon shumë karriera e mëparshme si baron i naftës (Tillerson ka qenë shef i koncernit ExxonMobil).

Duhet pasur mirëkuptim për Tillersonin: ai është ministër i Jashtëm i SHBA-ve, por pakkush e di këtë, sepse në politikën e jashtme amerikane po luajnë rol vendimtar dhëndri dhe e bija e Donald Trumpit, ndërsa në shumë kryeqytete të rëndësishme ende nuk janë emëruar ambasadorët e rinj amerikan. Tillerson dalëngadalë po e humb durimin për shkak të pafuqisë së tij.

Në Stamboll ishin të ftuar edhe kryeministri i Shqipërisë Edi Rama dhe kryetari i Serbisë dhe kryeministri faktik Aleksandar Vuçic. Gjatë ditës së hënë në mediat sociale ku vegjetojnë shqiptarët, temë kryesore ishte një fotografi: aty shihej Edi Rama ulur në një kolltuk afër Rexhep Taip Erdoanit, presidentit të gjithëpushtetshëm turk, pastaj kryeministri bullgar Bojko Borisov dhe në cep Aleksandar Vuçici. Kjo fotografi u lexua kështu: padishahu i madhëruar Rexhep Taip Erdoani e paskësh nderuar pa masë vëllain e tij shqiptar Edvin Ramën duke e ulur afër dhe duke ia ledhatuar dorën, ndërsa e paskësh poshtëruar serbin Aleksandar Vuçic duke e lënë të ulet krejt në fund. Natyrisht gjërat mund shikohen edhe kështu.

Por, nga fotografia vërehet se bëhet fjalë për një takim joformal, pa protokoll se kush ku do të ulet. Sepse po të kishte protokoll, atëherë Erdoani do ta ulte afër presidentin e Azerbajxhanit, Ilham Alijev, i cili kontrollon rezerva gjigante të naftës dhe gazit. Alijev shihet i ulur afër Edi Ramës.

Nëse politikën nuk e shohim si fansa futbollit, atëherë duhen parë pak faktet: sipas Aleksandar Megjedovicit, anëtar i Forumit Serbo-Turk të Biznesit, aktualisht në Serbi 12 deri 13 investitorë turq kanë hapur fabrika. Megjedovic pret që ky numër të dyfishohet deri në fund të vitit. Investimet turke në Serbi po përhapen si ortekë bore, ka shtuar ky ekonomist serb.

Pas takimit me Erdoanin presidenti serb Vuçic deklaroi se kishte biseduar edhe për «Turkish Stream», një gazsjellës që do të kalojë nëpër Detin e Zi, pastaj nga Turqia, Greqia dhe Maqedonia do të arrijë në Serbi dhe tutje drejt Bashkimit Europian. Së paku ky është synimi i Kremlinit.

“Turkish Stream” është projekt i Gazpromit rus dhe më parë e mbante emrin «South Stream». Ishte paraparë që «South Stream» të kalonte nëpër Detin e Zi në Bullgari dhe tutje në Serbi. Pas pushtimit të Krimesë nga Rusia Bashkimi Europian dhe në prapavijë SHBA-të i bënë presion Bullgarisë të bllokojë projektin rus. Qeveria në Sofje veproi sipas këshillave të Brukselit dhe Washingtonit.

Presidenti rus Vladimir Putin dhe homologu i tij turk Rexhep Taip Erdoan u kundërpërgjigjën duke lansuar «Turkish Stream», i cili anashkalon Bullgarinë. Krahas investimeve të mëdha në Serbi dhe interesave të përbashkëta për gazsjellësin «Turkish Stream» edhe raportet mes Erdoanit dhe Vuçicit janë të mira.

Pas zgjedhjes së Vuçicit president Erdoan pranoi menjëherë ftesën për të vizituar Beogradin.

Temë debati në viset shqiptare do të duhej të ishte edhe projekti TAP (Trans Adriatic Pipeline), i cili pas lidhjes me gazsjellësin anadollak TANAP do të çojë gazin e Kaspikut në Itali – përmes Turqisë, Greqisë dhe Shqipërisë. Planifikohet që ky projekt të përfundojë në vitin 2020. TAP është një shoqëri aksionare sipas ligjeve zvicerane me seli në Baar të Zvicrës.

Aksionarë të TAP-it janë BP nga Britania e Madhe, Socar nga Azerbajxhani Statoil nga Norvegjia, Fluxys nga Belgjika, Enagas nga Spanja dhe Axpo Holding nga Zvicra. Sidomos në Kosovë dhe në Maqedoninë shqiptare do të duhej të zhvillohej një debat mbi shanset që TAP të shtrihet me një degë edhe në viset e banuara me shqiptarë jashtë Shqipërisë. Por, për këtë asnjë fjalë. Me rëndësi: ku ulet Edi Rama dhe a lodhet Vuçici?

Jo, nuk lodhet Vuçici. Serbia i ka shkaktuar së paku katër luftëra në Ballkan në 25 vitet e fundit, ka kryer gjenocid në Bosnjë, ka dëbuar mbi 800 mijë shqiptarë të Kosovës nga shtëpitë e tyre (dhe vrarë mbi 8 mijë civilë shqiptarë), Serbia ka përkrahur forcat proruse të prira nga Nikolla Gruevski në Maqedoni në përpjekje për të penguar faktorizimin e shqiptarëve në këtë shtet, Beogradi vazhdon të sabotojë shtetin e Kosovës kudo ku mundet – dhe prapë Serbia ka hapur disa kapituj për anëtarësim në BE, ndërkohë që Shqipëria nuk ka filluar ende bisedimet për anëtarësim. Dhe ja përse: Shqipëria, për fat të keq, në 25 vitet e fundit ka qenë agresore ndaj vetes (sidomos në vitin fatal 1997) dhe çmimi që ka paguar ka qenë stagnimi. Andaj ulja e Edi Ramës në kolltukun e Erdoanit duhet të shikohet edhe si simbolikë e fuqishme: sa më shumë që dështojmë në integrimet europiane, aq më i madh do të jetë kolltuku në Stamboll.