Raporteri në hije për Shqipërinë Eduard Kukan në përgjigje të interesimit të ABC News ka deklaruar se është e drejta e qytetarëve që të protestojnë dhe të tregojnë mosmarrëveshjet e tyre ndaj politikave të qeverisë.
Por Kukan tha se nuk pajtohet me dhunën dhe sulmet ndaj institucioneve shtetërore, që ndodhën gjatë protestës së 16 Shkurtit.
I shqetësuar për përshkallëzimin e mëtejshëm të tensioneve politike është shprehur Kukan, duke theksuar mendimin se Shqipëria ka nevojë për dialog politik konstruktiv mes partive politike, ndryshe do të ishte e vështirë lëvizja drejt integrimit në Bashkimin Evropian.
Duke konsideruar djegien e mandateve të opozitës si bojkot parlamentar, Kukan ka përsëritur se vendi ku opozita ka një rol të rëndësishëm është parlamenti.
“Prandaj, nuk mendoj se bojkoti i ardhshëm i parlamentit është përgjigja e problemeve me të cilat ballafaqohet vendi” ka thënë Kukan duke vijuar se Shqipëria ka shumë politikanë me përvojë, të cilët tashmë e dinë se si të zgjidhin krizat politike.