Kryesore Basha citon Linkolnin: Mandatet do të digjen!

Basha citon Linkolnin: Mandatet do të digjen!

Lulzim Basha ka folur pasditen e së martës, në përfundim të mbledhjes së Kryesisë. Ai tha se dhe ky forum e miratoi vendimin për djegien e mandateve ndërsa fjalën e fundit e ka nesër Këshilli Kombëtar.

Kreu i PD tha se qeveria sot është në dorën e krimit, ndërsa opozita do të sjellë një qeveri me njerëz të mirë për të gjithë qytetarët.

Ai shmangu komentin mbi ambasadën e SHBA dhe Uashingtonin zyrtar, por tha se frymëzohet nga Abraham Lincoln.

“Unë nuk komentoj kurrë asnjë deklaratë të përfaqësive të huaja, por dua t’ju them fare qartë se për Partinë Demokratike nuk ka frymëzim më të madh sesa Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në veçanti presidenti Linkoln.

Djegia e mandateve nuk është qëllim në vetvete, por rekursi i fundit që i është lënë opozitës. Që të shembim një qeveri të krimit dhe t’u japim shqiptarëve një qeveri të njerëzve.

Ne shpresojmë që kjo sakrificë nuk do të shkojë kot. Ky komb nën Zot do të ketë një lindje të re të demokracisë” – tha Basha.