Sport Kupa e Amerikës: Argjentina dhe Kili sigurojnë kualifikimin në çerekfinale

Kupa e Amerikës: Argjentina dhe Kili sigurojnë kualifikimin në çerekfinale

Argjentina dhe Kili siguruan kualifikimin në çerekfinalet e Kupës së Amerikës, që po zhvillohet në Brazil. Në raundin e tretë të ndeshjeve në grupe përfaqësuesja bardhekaltër e udhëhequr nga Lionel Messi mposhti Paraguain me rezultat minimal, falë golit të realizuar nga Papu Gomez në minutën e 10-të të takimit. Argjentina kryeson Grupin A me 7 pikë dhe është e pamundur që të parakalohet nga Bolivia e vendit të fundit, që ka zero pikë në dy ndeshjet e para.

Ndeshje e shënuar për Lionel Messin, pavarësisht se nuk arriti të gjente rrugën e rrjetës. “Pleshti” luajti ndeshjen numër 147 me kombëtaren, duke barazuar Javier Mascheranon.

Kilit për të qenë mes tetë skuadrave më të mira i mjaftoi barazimi 1-1 me Uruguain në sfidën e zhvilluar në Cuiaba, qytet në Brazilin qendror. Eduardo Vargas zhbllokoi takimin për La Roja  në minutën e 27-të, por Luis Suarez barazoi në të 67-tën. Për Uruguain kjo ishte pika e parë në grup. Skuadra e drejtuar nga veterani Oscar Tabares, ndërpreu një seri prej katër ndeshjesh radhazi pa shënuar.