Aktualitet Kush e vrau negociatorin ukrainas? Një plan i 007 rusë në Kiev...

Kush e vrau negociatorin ukrainas? Një plan i 007 rusë në Kiev pas vdekjes së “tradhtarit”?

Denis Kireev kishte marrë pjesë në diskutimet mes Kievit dhe Moskës si negociator. Ishte një spiun rus apo një hero që prishi një goditje të armikut? Sipas burimeve të spiunazhit, Moska kërkonte të sabotonte Ukrainën nga brenda.

Guido Olimpio – Corriere della Sera

Ngjarjet e spiunazhit nuk janë kurrë të kufizuara me versione dhe skenarë. Konfuzioni është edhe më i madh në kohë lufte, siç tregojnë historitë e fundit. Historia e parë përfshin Denis Kireev, 45 vjeç, me një të kaluar si zëvendësdrejtor i një grupi bankar ukrainas dhe që më pas iu bashkua shërbimeve sekrete lokale. Më 28 shkurt ai merr pjesë në raundin e parë të negociatave në Bjellorusi, me fotot e tregojnë të ulur në tryezën ku takohen dy delegacionet. Një prani e rëndësishme.

Të shtunën më 5 mars u njoftua vdekja e tij. E dhunshme. Burimet pretendojnë se Kireev u vra nga kolegët e tij që u përpoqën ta arrestonin, sepse ata kishin zbuluar se ai po luante një lojë të dyfishtë. Një tradhtar që dënohet shpejt.

Një tezë e rrëzuar nga Ministria e Mbrojtjes, e cila e përkufizoi atë si një hero, që ra në luftë së bashku me dy zyrtarë të tjerë gjatë një operacioni: “Ata vdiqën duke mbrojtur Ukrainën, gjesti i tyre na afron me fitoren”.

Misteri mund të fshehë shumë gjëra. Shumë përpara pushtimit, kishte dalë informacioni për infiltrimin e njësive speciale ruse në aparatet e Kievit, përfshirë mbrojtjen, të mundësuar nga një plan i organizuar nga një zyrtar i lartë i lidhur me Kremlinin. Një marrëveshje e njohur – shkroi një analist britanik -, pothuajse e marrë si e mirëqenë.

Tani, fundi tragjik i Kireev mund të hyjë në betejën mes ”007”-ave. Ai, që sakrifikon veten për të penguar një goditje ose mund të jetë e kundërta. Moska mund të përhapë informacione për të ngjallur dyshime në kampin e kundërshtarit në një fazë kritike. Kompaktësia është e nevojshme, sepse kërcënimet e brendshme janë të shumta. Reale dhe të supozuara.

Burimet e inteligjencës pohojnë se shërbimet e Kievit kanë neutralizuar një plan rus për krijimin e “Republikës Popullore të Ukrainës” në shumë rajone. Qëllimi ishte kryerja e sabotimeve dhe vrasjeve në shënjestër, më pas pushtimi i ndërtesave publike për të krijuar kaos dhe për të hapur një front të tërë.

Një devijim për të shtuar hallet e ushtrisë. Masa tjetër do të ishte bashkimi me Rusinë, duke imituar atë që ndodhi në pjesën jugore të vendit. Skenari përkon me një raport të publikuar nga instituti britanik “RUSI”, i cili paralajmëroi për një projekt subversiv të frymëzuar gjithmonë nga rusët dhe të përpunuar nga një ekzekutiv shumë i afërt me Putinin. Për këtë qëllim ishin përgatitur rreth 200 burra, të ndarë në ekipe, të mbështetur nga bashkëpunëtorë vendas.

Në fund, intrigat hedhura nga Bjellorusia. Ka pasur raportime për dorëheqjen e zëvendësministrit të Mbrojtjes Viktor Gulevich, një gjest proteste, sepse është në kundërshtim me një ndërhyrje të drejtpërdrejtë të ushtrisë në territorin ukrainas. Megjithatë, erdhën mohimet, të cilat megjithatë nuk fshijnë dyshimet për probleme për regjimin e Lukashenkos dhe për një rezistencë të pretenduar të gjeneralëve të tij për të marrë pjesë në konflikt.