Forcat amerikane në Irak kanë vrarë sot gjeneralin Qasem Soleimani, i cili ishte kreu i forcës elitare të Gardës Revolucionare të Iranit- Quds.
Lajmi u konfirmua nga Pentagoni, ku zbulohet se urdhri është dhënë nga presidenti Donald Trump.
“Nën urdhrat e Presidentit, forcat ushtarake amerikane kanë ndërmarrë një operacion mbrojtjeje ndaj personelit të ShBA-së duke vrarë Qasem Soleimani, kreun forcës së Gardës Revolucionare të Iranit Quds”, njoftoi Departamenti amerikan i Mbrojtjes.
Sipas mediave amerikane, gjenerali Soleimani po shkonte me makinë në aeroportin e Bagdadit, i shoqëruar nga trupa ushtarakë, kur u godit nga një sulm ajror amerikan.
Por kush ishte Qasem Soleimani?
Qasem Soleimani konsiderohej si një hero në Iran – i guximshëm, karizmatik dhe i dashur nga trupat ushtarake.
Udhëheqësi suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, dikur e kishte quajtur atë një “dëshmor të gjallë të revolucionit”. Por siç shkruan CNN, Shtetet e Bashkuara e konsideronin gjeneralin e lartë të Iranit si një vrasës të pamëshirshëm.
Një nga burrat më të fuqishëm të Iranit, Soleimani ishte një figurë tejet e diskutueshme. Ai ishte kreu i Quds Forcës së Gardës Revolucionare, një njësi elitë që merret me operacionet e Iranit jashtë shtetit – dhe që konsiderohej se ishte një organizatë e huaj terroriste nga SHBA-ja.
Pasi filloi karrierën e tij ushtarake në vijë të parë në luftën Iran-Irak gjatë fillimit të viteve 1980, Soleimani u ngrit duke u bërë një figurë e domosdoshme në Iran dhe ndikoi në përhapjen e ndikimit të tij në Lindjen e Mesme.
“Ai ka qenë duke luftuar tërë jetën e tij. Ushtarët e tij e duan atë. Ai është një djalë i qetë, karizmatik, një gjeni strategjik dhe një operator taktik”– i tha CNN-it gjeneral-lejtnant Mark Hertling.
Pentagoni thotë se Soleimani dhe trupat e tij ishin “përgjegjës për vdekjen e qindra anëtarëve të shërbimit amerikan dhe të koalicionit dhe plagosjen e mijëra të tjerëve”.
I njohur si “komandanti në hije” i Iranit, Soleimani që kishte udhëhequr Forcën e Kudsit që nga viti 1998 – ishte ideatori i operacioneve ushtarake iraniane në Irak dhe Siri.
Zyrtarët amerikanë besojnë se gjatë luftës në Irak, ishin njësitë e Soleimani ato që u siguruan kryengritësve irakianë bomba të bëra posaçërisht që të mund të depërtonin forcat e blinduara, një armë vdekjeprurëse kundër forcave amerikane. Një pretendim që Irani e ka mohuar.
Gjatë luftës kundër ISIS-it, Soleimani raportohej shpesh që ishte në fushat e betejës në Irak, duke ndihmuar forcat shiite irakiane që të luftonin militantët ekstremistë.
Forcat e Quds gjithashtu bënë kërdinë përtej Lindjes së Mesme.
Zyrtarët e Thesarit të SHBA-së, thonë se Soleimani ishte përfshirë edhe në një komplot famëkeq në tokën amerikane. Ai mbikëqyri oficerët e forcave të Qudsit, të cilat në vitin 2011 u përpoqën dhe nuk arritën të vrisnin ambasadorin e Arabisë Saudite në Shtetet e Bashkuara Adel Al-Jubeir.
Në një deklaratë të premten, Departamenti i Mbrojtjes tha se Soleimani “po zhvillonte në mënyrë aktive plane për të sulmuar diplomatët amerikanë dhe anëtarët e shërbimit në Irak dhe në të gjithë rajonin”.
Departamenti i Mbrojtjes fajësoi gjeneralin iranian për sulmet e orkestruara në bazat e koalicionit në Irak në muajt e fundit, përfshirë një sulm më 27 dhjetor që arriti kulmin me vdekjen e një kontraktori amerikan dhe personelit irakian.
Gjithashtu i vrarë në sulmin ajror amerikan në Aeroportin Ndërkombëtar të Bagdadit mëngjesin e kësaj të premteje, ishte Abu Mahdi al-Muhandis, nënkryetari i Forcave të Mobilizimit Popullor Irak (PMF) të mbështetur nga Irani.
Mbështetësit dhe anëtarët e PMF u përpoqën të sulmojnë ambasadën amerikane në Bagdad këtë javë. Sipas Pentagonit, Soleimani gjithashtu e aprovoi atë sulm.
E formuar në vitin 2014 për të luftuar ISIS-in, PMF është një forcë paraushtarake shiite e përbërë nga ish-milici me lidhje të ngushta me Iranin. Ajo u njoh në bazë të një ligji të Irakut në 2016-ën, si një forcë e pavarur ushtarake që i përgjigjet drejtpërdrejt kryeministrit.